Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Zonja e Parë, Melania Trump, ka ndihmuar në ndërmjetësimin e një armëpushimi në qytetin e pushtuar nga Rusia, Oleshky, ku banorët po përballeshin me një krizë humanitare të rëndë për shkak të mungesës së ushqimit dhe burimeve jetike.
Qyteti i vogël në jug të Khersonit ka qenë në qendër të një krize gjithnjë e më të dëshpëruar nën pushtimin rus. Që nga muaji maj, Rusia nuk ka dërguar ushqime, ilaçe apo mallra të tjera të domosdoshme, duke shkaktuar vdekje nga uria dhe sëmundjet. Ka pasur gjithashtu probleme me varrimet dhe higjienën, pasi morgu lokal është shkatërruar.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin e furnizimeve për popullsinë e qytetit, të cilin forcat ukrainase synojnë ta rimarrin.
Më herët këtë javë, Papa Leoni XIV bëri thirrje për ndërhyrje, ndërsa Kremlini tha se Putini e kishte diskutuar situatën me Donald Trump.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, të dy vendet kanë rënë dakord të ndalin përkohësisht veprimet ushtarake “për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe përgatitjen e evakuimit të civilëve përmes një korridori të sigurt”.
“Situata në Oleshky është e tmerrshme. Oleshky është një qytet në vijën e frontit, në prag të katastrofës. Popullsia e mbetur përbëhet kryesisht nga të moshuar që kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, ilaçe, ushqim dhe ujë të pastër”, tha Melania Trump në një deklaratë.
The Guardian përcolli muajin e kaluar një raport për gjendjen dramatike në qytetin e shkatërruar nga lufta. Banorët thanë se kishin mbetur me vetëm një vakt në ditë. “Po na mbaron gjithçka”, tha një banor në fillim të verës. “Nga gushti, situata do të jetë kritike për ne. Dhe në vjeshtë, me siguri do të vdesim. Unë tashmë po vdes. Po dobësohem çdo ditë”.
Ushqimi kishte mbaruar për rreth 2 mijë civilë, përfshirë 50 fëmijë, që kishin mbetur në qytet dhe fshatrat përreth.
“Jemi në Oleshky [dhe]nuk mund të dalim. Po vuajmë nga uria… Tani nuk kam absolutisht asgjë për të ngrënë”, shkruante një grua në qytetin e rrethuar, e cila priste të evakuohej nga forcat pushtuese. Para luftës, ajo peshonte 110 kg; tani peshonte vetëm 67 kg.
Oleshky, përtej lumit Dnipro nga qyteti jugor Kherson, është shndërruar në “një ferr mbi tokë”, sipas ukrainasve që njohin kushtet atje.
Këtë fundjavë, autoritetet ushtarake në Kherson kryen një hedhje ajrore të gjerë me ushqime emergjente, ujë dhe ndihma mjekësore në qytet dhe zonat përreth, duke përdorur dronë të mëdhenj, pasi Rusia raportohet se refuzoi sërish një armëpushim për evakuimin e civilëve.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e ngriti çështjen e Oleshky në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator. Ai tha: “Rusia po ua bën jetën të pamundur. Po i lë pa ushqim deri në vdekje”./mxh
