Hyrja e Erik Lloshit në “Big Brother VIP Albania 5” duket se ka sjellë jo pak tension në jetën e tij personale, veçanërisht në marrëdhënien me bashkëshorten, Rominën.
Menaxheri i artistit, Anton Prendi, ka ndarë detaje të reja gjatë një interviste me Ronaldo Sharkën, duke zbuluar se frika e Erikut për një divorc të mundshëm nuk ka qenë thjesht një shaka. Sipas tij, hezitimi i këngëtarit për të hyrë në format ka zgjatur për më shumë se dy vite e gjysmë dhe arsyeja kryesore ka qenë pikërisht bashkëshortja e tij.
“Të njëjtën gjë ka thënë edhe Romina, që nuk do ta pranonte kurrë. Nuk ka qenë vetëm tani kundër. Ajo nuk është kundër formatit në vetvete, por e ka privatësinë e familjes shumë të shenjtë”, u shpreh Prendi.
Situata duket edhe më e ndërlikuar për faktin se aktualisht komunikimi mes menaxherit dhe Rominës është ndërprerë. Antoni pranoi se ka tentuar ta kontaktojë gjatë ditëve të fundit, por pa rezultat.
“Kam provuar të komunikoj këto ditë, por nuk kam mundur. Shpresoj që t’i ketë parë videot që unë postoj në Instagram-in e Erikut. Ajo ka thënë se do kishte pranuar çdo gjë tjetër, vetëm ‘Big Brother VIP’ jo”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se Romina ka zgjedhur të qëndrojë larg çdo zhvillimi që lidhet me pjesëmarrjen e Erikut në këtë format./mxh
