Pas më shumë se një dekade heshtjeje, piloti i helikopterit që transportoi legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, drejt spitalit pas aksidentit të rëndë në ski, ka rrëfyer për herë të parë detaje nga ajo ditë dramatike.
Yannick Dainese, i cili në dhjetor të vitit 2013 punonte për kompaninë e shpëtimit ajror SAF Hélicoptères, ishte pjesë e ekipit që ndërhyri në resortin e skive Méribel Alpina pas aksidentit që ndryshoi jetën e Schumacherit.
Duke folur për gazetën sportive franceze L’Équipe, Dainese kujtoi momentin kur mësoi identitetin e personit të plagosur.
“Një shpëtimtar zbriti nga helikopteri me mjekun dhe më tha: ‘Po shkojmë te Schumacher’. Në fillim mendova se po bënte shaka”, rrëfeu ai. “Kur komandanti urdhëroi të hiqnim mikrofonat dhe kamerat GoPro dhe ndaloi gazetarët të na shoqëronin, e kuptova se ishte e vërtetë”, tha piloti.
Edhe pse nuk ishte tifoz i madh i Formula 1, Dainese ishte i vetëdijshëm për famën e jashtëzakonshme të Schumacherit.
“Në mënyrë të pavetëdijshme presioni ishte aty, sepse e dija se ai adhurohej si një perëndi. Por për mua ai ishte thjesht një person i plagosur rëndë që kishte nevojë për ndihmë”, u shpreh ai.
Sipas tij, pista e skive u izolua menjëherë dhe atmosfera ishte jashtëzakonisht e tensionuar. Schumacher u vendos në një dyshek vakumi dhe më pas u transportua me helikopter drejt një spitali në Grenoble.
Fluturimi zgjati rreth 25 minuta dhe u zhvillua pothuajse në heshtje totale.
Dainese tha se nuk e dinte shkallën e vërtetë të dëmtimeve të Schumacherit deri disa ditë më vonë.
Kur u kthye në të njëjtin spital për të transportuar një pacient tjetër, ai u përball me një skenë të pazakontë.
“Ishte e pabesueshme. Kishte autobusë, flamuj të kuq dhe njerëz kudo. Ambientet e spitalit ishin shndërruar në një pistë Formula 1”, kujtoi ai.
Më 29 dhjetor 2013, Schumacher pësoi një dëmtim të rëndë në kokë gjatë një aksidenti në ski në Alpet Franceze. Sipas hetimeve, ai nuk po lëvizte me shpejtësi të madhe kur goditi një shkëmb të fshehur nën dëborë.
Përplasja e hodhi përpara dhe ai goditi kokën në një gur të madh, duke e çarë helmetën në dy pjesë.
Ish-kampioni botëror iu nënshtrua dy operacioneve të mëdha dhe u vendos në koma të induktuar, e cila zgjati rreth 250 ditë.
Dainese shpjegoi se vendosi të mos fliste publikisht për 12 vjet për të respektuar privatësinë e familjes Schumacher.
Bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, ka ruajtur me rigorozitet informacionet mbi gjendjen shëndetësore të ish-pilotit, duke kufizuar qasjen vetëm te familjarët, miqtë e afërt dhe një grup i vogël mjekësh.
Edhe sot, detajet mbi gjendjen aktuale të Schumacherit mbeten kryesisht private, ndërsa familja ka konfirmuar vetëm se ai vazhdon të marrë trajtim mjekësor./a.d
