Është zhvilluar mesditën e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak Berat, ceremonia e betimit të kryetarit të ri të bashkisë Berat, Ervin Ceca. Në ceremoni kanë qenë të pranishëm Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, Ervin Demo, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, deputetë, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues nga shoqëria civile etj.
Në nisje të ceremonisë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo e ka cilësuar ditën e sotme të rëndësishme për qytetin sepse sot zyrtarizohet në detyrë kryebashkiaku i ri.
“Jam i bindur se kryetari i ri i bashkisë Berat do të ketë në fokusin e tij ruajtjen e vlerave të qytetit dhe ruajtjen e bashkëjetesës fetare. Dinamika që ka qyteti do të marrë një përgjigje pozitive nga kryetari i ri i bashkisë Berat, sepse ai ka dashuri për këtë qytet dhe është njeri dashamirës. Jemi përpara një periudhe intensive, përsa i përket reformave në pushtetin vendor dhe unë jam i bindur se bashkia e Beratit do të japë kontributin e saj për këto reforma dhe sidomos për atë të reformës territoriale”-,ka thënë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
“Kjo bashki ka qenë një histori suksesi dhe ky mandat do të jetë vijimi i punës së nisur për ti shërbyer Beratit. Besoj se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne do të arrijmë rezultate të qëndrueshme”-,ka thënë kryetari i ri i bashkisë Berat, Ervin Ceca.
Përfundimi i ceremonisë së betimit të kryebashkiakut të ri të bashkisë Berat është mbyllur me Himnin e Flamurit./kb

