Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit, veçanërisht drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur nga samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, Merz tha se së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron kanë paraqitur një propozim konkret për hapat e ardhshëm drejt lehtësimit të integrimit.
Ai theksoi se BE duhet të tregojë gatishmëri reale për zgjerim, duke shtuar se vendet e rajonit “i përkasin Bashkimit Evropian në afatgjatë”.
Merz kritikoi gjithashtu faktin se prej 13 vitesh nuk është pranuar asnjë anëtar i ri, duke e cilësuar këtë si një mangësi të vetë BE-së.
Sipas tij, vendet anëtare dhe aspirantët duhet të punojnë së bashku për të avancuar procesin, ndërsa shprehu shpresën për arritjen e konkluzioneve të përbashkëta që do të zbatohen në Bruksel në javët në vijim.
Samiti në Tivat po fokusohet në përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, një proces që ka marrë rëndësi të shtuar pas luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve gjeopolitike në Evropë./mxh
