Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Irani përbën “qendrën e terrorizmit ndërkombëtar”, duke theksuar se regjimi iranian duhet të ndalë menjëherë armiqësitë për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për mediat këtë të hënë, Merz tha se përfundimi i luftës varet nga veprimet e udhëheqjes iraniane dhe nga ndalimi i aktivitetit të Gardës Revolucionare.
“Sa më shpejt që regjimi i mullahëve të ndalojë, aq më shpejt do të përfundojë edhe kjo luftë. Gjithçka varet nga ky regjim dhe nga e ashtuquajtura Gardë Revolucionare për të ndalur armiqësitë”, u shpreh kancelari gjerman.
Ai shtoi se për sa kohë që kjo nuk ndodh, është e pritshme që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të vazhdojnë veprimet e tyre mbrojtëse kundër Iranit.
Sipas Merz, kërcënimi që paraqet regjimi iranian shkon përtej kufijve të vendit dhe rajonit, duke përbërë një rrezik më të gjerë për sigurinë ndërkombëtare.
Ndërkohë, kancelari gjerman shprehu shqetësim edhe për rritjen e çmimeve të energjisë si pasojë e tensioneve në rajon, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja për ekonominë gjermane.
Ai theksoi se qeveria në Berlin po punon për të rritur pavarësinë energjetike të vendit, në mënyrë që të zbusë ndikimin e krizave ndërkombëtare në tregjet e energjisë./mxh
