Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Iranit të rikthehet urgjentisht në tryezën e negociatave, duke paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike nëse vijon bllokada e Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë një vizite në një bazë stërvitore ushtarake në Mynster, Merz theksoi se Gjermania është e gatshme të ndërmarrë edhe veprime ushtarake, nëse plotësohen kushtet e nevojshme, për të garantuar lirinë e lundrimit. Ai kërkoi gjithashtu rritjen e presionit përmes sanksioneve ndaj Teheranit, duke e cilësuar situatën si një kërcënim për ekonominë globale.
Sipas kancelarit gjerman, Irani duhet të ndalë programin e tij bërthamor me qëllime ushtarake dhe të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit dhe partnerëve të tjerë në rajon. Ai shtoi se Teherani nuk duhet të mbajë peng rajonin dhe më gjerë përmes vonesave në negociata.
Merz nënvizoi se Gjermania është në koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, në kuadër të interesave të përbashkëta transatlantike. Ai theksoi angazhimin e vendit të tij për një NATO të fortë dhe një partneritet të qëndrueshëm mes Evropës dhe SHBA-së.
Deklaratat e kancelarit vijnë në një kohë tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ku situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të mbetet një pikë kritike për sigurinë dhe tregtinë globale./mxh
