Kur pushteti ndryshon në krye të disa prej kompanive më të mëdha në botë, shumica e njerëzve nuk e vënë re.
Nëse produktet funksionojnë, shërbimet ecin dhe raftet e dyqaneve janë plot, atëherë kush ulet në sallën e bordit nuk bëhet lajm. Por kur bëhet fjalë për Samsung, dinastia familjare që qëndron pas saj është aq komplekse dhe kompania kaq e rëndësishme për ekonominë e Koresë së Jugut, saqë gjithçka përfundon në faqet e para.
Kështu ndodhi në vitin 2017, kur trashëgimtari i pritshëm i Samsung, Lee Jae-yong, i njohur edhe si JY Lee, u burgos për rolin e tij në një skandal korrupsioni që rrëzoi edhe presidenten e vendit.
57-vjeçari është nipi i themeluesit të Samsung, Geoffrey Cain e ka përshkruar atë si “një nga njerëzit më të fuqishëm në historinë e teknologjisë”.
Por në vitin 2015, me të atin, kryetarin e Samsung, në spital pas një ataku kardiak, trashëgimia e Lee nuk ishte e sigurt.
Ai u akuzua se kishte dhënë para për fondacione të drejtuara nga Choi Soon-sil, një mike e ngushtë e ish-presidentes së Koresë së Jugut Park Geun-hye, në këmbim të mbështetjes politike për një bashkim kompanish që do të forconte kontrollin e tij mbi konglomeratin. Ai u akuzua gjithashtu për mashtrim me aksione dhe manipulime kontabël në atë bashkim mes Samsung C&T dhe Cheil Industries.
Prokurorët thanë se ai veproi kështu për të marrë kontrollin e pjesës më të madhe të entitetit të ri dhe, në këtë mënyrë, të siguronte drejtimin e Samsung Electronics, “xhevahiri i kurorës” së perandorisë.
Lee Jae-yong gjithmonë i ka mohuar akuzat për mashtrim, por në vitin 2017 u shpall fajtor për korrupsion.
Kur skandali shpërtheu në vitin 2016, ai nxiti protesta masive në Seul dhe çoi në shkarkimin e presidentes së vendit.
Pse ishte kaq e rëndësishme kjo marrëveshje?
Që nga themelimi si një dyqan ushqimor në fund të viteve 1930, Samsung ka qenë në duart e familjes Lee. Sipas Cain, kjo familje është “ekuivalenti i mbretërisë” në Korenë e Jugut. Ajo e shndërroi biznesin në një fuqi globale, duke përfshirë sigurimet, çipat e memories, ndërtimin dhe teknologjinë për konsumatorët.
Por për të mbetur në duart e familjes, konglomerati ka kaluar nëpër bashkime dhe transferime komplekse pushteti, manovra që përfundimisht e çuan Lee në burg.
Ai kishte marrë drejtimin de facto që në vitin 2014, kur i ati pësoi atak në zemër. Por procesi për sigurimin e kontrollit të plotë familjar nuk ishte përfunduar ende.
Perandoria ishte bërë jashtëzakonisht komplekse, dhjetëra kompani të lidhura me njëra-tjetrën përmes një rrjeti të ndërlikuar aksionesh.
Një tjetër problem ishte taksa e trashëgimisë, mbi 10 miliardë dollarë. Nëse familja do të shiste aksione për ta paguar, rrezikonte të humbiste kontrollin.
Rreziku i trashëgimisë
Si djali i vetëm, Lee ishte zgjedhja për të drejtuar Samsung. Por jo të gjithë ishin të bindur për aftësitë e tij.
Gazetarja Jaeyeon Lee thotë se ai shihej si më i rezervuar dhe më i kujdesshëm se i ati. Disa mendonin se motra e tij ishte më e aftë dhe e kritikuan për mungesë ashpërsie.
Dyshime për aftësitë e tij u ngritën edhe kur projekti i tij e-Samsung dështoi gjatë krizës së “dotcom”.
Familja kishte përjetuar më parë një trashëgimi të vështirë, kur babai i tij, Lee Kun-hee, u zgjodh në vend të vëllezërve më të mëdhenj.
Karrigia bosh
Pas një fillimi të pasigurt, Lee Kun-hee udhëhoqi një periudhë suksesi në vitet ’80 dhe ’90. Por në vitin 2008 ai dhe djali i tij dhanë dorëheqjen pas akuzave për fonde të fshehta për ryshfete.
Edhe pse më vonë u shpall i pafajshëm për korrupsion, ai u dënua për evazion fiskal. Kjo la një boshllëk në krye të kompanisë dhe ngriti pikëpyetje për të ardhmen e Samsung dhe ekonomisë së vendit.
Në vitin 2012, vëllai i madh i Lee Kun-hee kërkoi në gjykatë trashëgiminë që mendonte se i takonte. Një proces që rrezikonte të prishte planin e trashëgimisë.
Konflikti kishte rrënjë të vjetra, që nga ndarja e perandorisë në vitin 1976. Një vendim që pati pasoja për dekada.
Gjykatat vendosën se ishte tepër vonë për të ndërmarrë veprime ligjore, duke i dhënë fund konfliktit. Kjo ndihmoi në vendosjen e një linje të qartë trashëgimie.
Kështu, kur Lee Kun-hee mbeti i shtrirë në shtrat pas një ataku në zemër, ishte e qartë kush do ta merrte drejtimin, djali i tij.
Shfajësimi
Vetëm në korrik 2025, Lee Jae-yong u shpall përfundimisht i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e Seulit për akuzat e mashtrimit që lidhen me marrëveshjen e bashkimit.
Kjo i dha fund një dekade procesesh gjyqësore dhe burgimesh për kreun e Samsung.
Ai sinjalizoi edhe një ndryshim të madh nga tradita e “chaebol”-eve (biznese familjare koreane):
“Dua të premtoj tani, nuk do të ketë më polemika për trashëgiminë. Nuk do t’ua kaloj të drejtën e drejtimit fëmijëve të mi.”
Kjo ngre një pyetje të re, nëse djali i madh nuk do të trashëgojë automatikisht perandorinë, kush do ta drejtojë Samsung në të ardhmen?/ET
