Stoli i Kombëtares Shqiptare nuk është më vetëm çështje prestigji sportiv, por edhe një kontratë me peshë financiare, me shifra që shpesh i kalojnë kufijtë e realitetit ekonomik të vendit.
Gjatë dekadës së fundit, strategjia financiare e Federatës Shqiptare të Futbollit ka luhatur ndjeshëm, duke kaluar nga periudhat e kursimit te ato të shpenzimeve të mëdha, për t’u rikthyer tani te një “mesatare” me trajnerin e ri, Rolando Maran. Sipas Top Channel, paketa e re do të kushtojë FSHF -së rreth 400 mijë euro në vit.
Nga De Biasi te Reja, vendosja e standardit
Rritja e shpenzimeve në aspektin e trajnerëve nisi të marrë tjetër dimension në epokën e Gianni De Biasit. Në krye të stolit kuqezi, italiani e nisi punën me një kontratë rreth 300 mijë euro në vit. Pas suksesit historik dhe kualifikimit në Euro 2016, paga e tij u rrit me 15 për qind, duke e çuar në një nivel më të lartë.
Pas largimit të arkitektit të atij kualifikimi, FSHF vendosi një standard të ri për pasuesit. Si Christian Panucci, ashtu edhe Edy Reja, u paguan me rreth 400 mijë euro në vit, shifër që përfshinte edhe stafin e tyre më të afërt dhe u kthye në një normë të menaxhueshme për Kombëtaren.
Kulmi i shpenzimeve: “Milioni” i Sylvinho-s dhe stafit të tij
Kjo logjikë ndryshoi me ardhjen e Sylvinhos. Për të ndërtuar një staf me profil të lartë dhe përvojë në nivelet më të mëdha, ku përmendeshin emra si Pablo Zabaleta dhe Doriva, FSHF rriti ndjeshëm buxhetin. Paketa totale për stafin teknik arriti rreth 1 milion euro në vit.
Ky investim u konsiderua si një hap i madh për të synuar një nivel më të lartë dhe, sipas këtij vlerësimi, u shpërblye edhe sportivisht, pasi kombëtarja siguroi një tjetër kualifikim në Kampionatin Europian, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme për federatën.
Rikthimi te “formula” e mëparshme: Buxheti i Maran
Me emërimin e Përzgjedhësit të ri italian, Rolando Maran, FSHF ka zgjedhur të kthehet te modeli tradicional i shpenzimeve. Paketa e stafit të drejtuar nga Maran do të kushtojë rreth 400 mijë euro në vit, pra më pak se gjysma e asaj që përfitohej në epokën e Sylvinhos.
Kjo lëvizje përfaqëson një ulje të ndjeshme të kostove dhe e kthen stolin e Kombëtares në të njëjtat nivele financiare që njiheshin gjatë periudhave të Panuccit dhe Rejas.
Nëse shifra prej 400 mijë eurosh në vit zbërthehet në afate më të shkurtra, llogaritë duken edhe më të qarta: në muaj, stafi teknik përfiton rreth 33,333 euro, ndërsa në ditë kjo përkthehet në rreth 1,095 euro për çdo 24 orë.
Kjo është kostoja e përditshme që federata paguan për drejtimin teknik të Kombëtares: planifikimin, monitorimin e lojtarëve, analizat dhe përgatitjen e ndeshjeve zyrtare të Shqipërisë. /ET


