Edhe pse Met Gala 2027 është ende disa muaj larg, edicioni i ardhshëm ka nisur që tani të shkaktojë debate të forta në botën e modës dhe kulturës pop.
Instituti i Kostumeve pranë Muzeut Metropolitan të Artit ka njoftuar se ekspozita e pranverës 2027 do t’i kushtohet stilistit britanik John Galliano. E titulluar “John Galliano: Horizons”, ekspozita do të sjellë një retrospektivë të karrierës së tij mbi katër dekada, ndërsa edhe Met Gala i lidhur me të do të ketë në qendër krijimtarinë e stilistit.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta, për shkak të së kaluarës së diskutueshme të Gallianos. Pavarësisht ndikimit të tij të madh në shtëpi të njohura mode si Givenchy, Dior dhe Maison Margiela, emri i tij lidhet edhe me deklaratat raciste dhe antisemite të bëra në vitin 2011.
Në atë periudhë, stilisti u filmua teksa fyente një çift në një kafene në Paris dhe shqiptonte fraza të rënda, mes tyre edhe deklaratën se “e donte Hitlerin”. Pas publikimit të videos, ai u shkarkua nga Dior dhe u shpall fajtor për fyerje publike të bazuara në origjinë, fe, racë dhe etnitet, duke u gjobitur me 6 mijë euro.
Karriera e Gallianos nisi të rehabilitohej disa vite më vonë. Në vitin 2013, me ndihmën e Anna Wintour, ai iu bashkua përkohësisht studios së stilistit Oscar de la Renta. Një vit më pas u emërua drejtor artistik i Maison Margiela, pozicion që e mbajti deri në vitin 2024. Në mars të këtij viti, ai nënshkroi edhe një bashkëpunim krijues dyvjeçar me Zara.
Galliano ka kërkuar disa herë falje për deklaratat e tij, duke pohuar se në atë periudhë vuante nga varësia ndaj alkoolit dhe drogës. Sipas raportimeve, përpara se të miratonin ekspozitën, Anna Wintour dhe kuratori Andrew Bolton janë konsultuar edhe me përfaqësues të organizatave hebraike.
Wintour e ka mbrojtur vendimin, duke deklaruar se karriera e Gallianos nuk duhet të përcaktohet vetëm nga një moment, edhe pse ai do të duhet të jetojë gjithmonë me pasojat e tij.
Megjithatë, kritikët vënë në dyshim nëse një nderim i tillë është i përshtatshëm, veçanërisht në një periudhë kur antisemitizmi raportohet në rritje në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Galliano do të bëhet vetëm stilisti i tretë ende në jetë që do të ketë një ekspozitë personale në Costume Institute, pas Yves Saint Laurent dhe Rei Kawakubo.
Muzeu Metropolitan i Artit ka sqaruar se ekspozita nuk do të jetë vetëm një celebrim i krijimtarisë së tij. “Horizons” do të përfshijë mbi 200 veshje, skica dhe materiale arkivore, por një seksion i veçantë do t’u kushtohet deklaratave antisemite të vitit 2011 dhe rikthimit të mëvonshëm të stilistit në industrinë e modës.
Përmes kësaj qasjeje, muzeu synon të ngrejë pyetjen se si duhet të vlerësohet suksesi artistik përballë përgjegjësisë morale dhe etike.
Ekspozita “John Galliano: Horizons” do të hapet më 9 maj 2027, një javë pas Met Gala-s, i cili do të mbahet më 3 maj./mxh
