Last Updated on 12/02/2025 by adminfjala
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet sot në një takim të hapur për mediat, ku pritet që deputetja Klotilda Bushka të sqarojë pozicionin e saj pasi u mor në hetim nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt.
Të hënën SPAK njoftoi se ka vënë në hetim deputeten për akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Bushka, në një reagim publik ditën e djeshme, u distancua nga akuza, ndërsa tha se SPAK e ka vënë në hetim pa e marrë asnjëherë në pyetje.
“A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje?
Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.
Kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë“, shkroi Bushka në rrjetet sociale./ S,M