Prince Jackson ka zgjedhur ta kujtojë babain e tij, legjendën e muzikës Michael Jackson, në një ditë simbolike për familjen. Më 29 gusht, në ditën kur “Mbreti i Popit” do të festonte 68-vjetorin e lindjes, Prince ishte i pranishëm në Las Vegas, në një event special kushtuar trashëgimisë së të atit.
29-vjeçari u shfaq në spektaklin “Michael Jackson ONE”, produksioni i “Cirque du Soleil” në Mandalay Bay, i cili sjell në skenë disa prej hiteve më të mëdha të Michael Jackson.
Duke folur për trashëgiminë e babait të tij dhe ndikimin që vazhdon të ketë në brezat e rinj, Prince u shpreh se është emocionuese të shohë se si muzika dhe mesazhi i Michael po zbulohen nga një audiencë e re.
“Ka qenë shumë speciale për mua të shoh ndikimin që ka pasur ky film”, tha Prince, duke iu referuar biografisë “Michael”,e cila ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes jetën dhe karrierën e ikonës së muzikës.
Ai shtoi se është veçanërisht i lumtur që një brez i ri po afrohet me muzikën e të atit.
“Është vërtet bukur të shohësh këtë brez të ri të njihet me muzikën dhe mesazhin e tij. Shpresoj që kjo ta bëjë botën një vend më të mirë”, u shpreh ai.
Michael Jackson u nda nga jeta në vitin 2009, kur Prince ishte vetëm 12 vjeç. Sot, djali i madh i këngëtarit vazhdon të jetë një nga zërat që kujton dhe mbron trashëgiminë e tij.
Një tjetër moment veçanërisht emocional për Prince ka qenë realizimi i filmit “Michael”, ku rolin e të atit e ka luajtur kushëriri i tij, Jaafar Jackson.
Prince, i cili ka qenë gjithashtu producent i filmit, ka treguar më herët se takimi i parë me Jaafarin të transformuar për rolin ishte një përjetim shumë i fortë emocional.
“Herën e parë që e pashë personalisht, me flokët dhe grimin e tij, ishte një tronditje emocionale, sepse nuk e kisha parë babain tim prej shumë kohësh. Jaafar thjesht e mishëroi atë”, ka rrëfyer ai.
Sipas Prince, ngjashmëria e Jaafarit me Michael ishte aq e madhe, sa për disa momente e pati të vështirë të përmbahej emocionalisht. Ai ka treguar se dëshira e parë që pati ishte ta përqafonte kushëririn e tij, ndërsa i duhej pak kohë për ta përpunuar atë moment.
Prince ka vlerësuar maksimalisht edhe performancën e Jaafarit në film, duke e cilësuar atë si një nga përvojat më të mëdha të jetës së tij.
Michael Jackson është gjithashtu babai i dy fëmijëve të tjerë, Paris Jackson dhe Bigi Jackson./mxh
