Last Updated on 22/09/2026 by EL
Bashkimi Evropian ka vendosur të zgjasë sanksionet individuale ndaj Rusisë, por në të njëjtën kohë ka hequr nga lista e sanksioneve dy biznesmenë të njohur rusë, Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, pas negociatave të vështira mes vendeve anëtare.
Vendimi për Usmanov erdhi pas një përplasjeje diplomatike në Bruksel, ku Franca këmbënguli për heqjen e tij nga lista, duke e lidhur çështjen me lirimin e dy shtetasve francezë të burgosur në Azerbajxhan. Sipas Euronews, një marrëveshje e arritur në prapaskenë mes autoriteteve franceze dhe uzbeke parashikonte që Azerbajxhani të lironte dy francezët në këmbim të heqjes së Usmanovit nga lista e sanksioneve.
Mikhail Fridman u hoq gjithashtu nga lista pasi Sllovakia kundërshtoi vazhdimin e sanksioneve ndaj tij. Luksemburgu kishte argumentuar se, nëse Usmanov hiqej nga lista, i njëjti trajtim duhej të zbatohej edhe për Fridman. Biznesmeni ka ngritur një pretendim prej 16 miliardë dollarësh kundër Luksemburgut lidhur me asetet e ngrira.
Me heqjen nga lista, ndaj dy biznesmenëve nuk do të zbatohen më ngrirja e aseteve dhe ndalimi i udhëtimit në kuadër të sanksioneve të BE-së.
Ambasadorët e vendeve anëtare arritën kompromisin të martën, pas dy javësh negociatash që e çuan regjimin e sanksioneve të BE-së në një nga momentet më të vështira të viteve të fundit. Letonia kishte bllokuar procesin të hënën, duke argumentuar se nuk ishte momenti për të zbutur presionin ndaj Moskës, por të martën zgjodhi të abstenojë në mënyrë konstruktive, duke i hapur rrugë miratimit të marrëveshjes.
Në këmbim të kompromisit për dy biznesmenët, BE-ja vendosi të zgjasë sanksionet individuale ndaj Rusisë për 36 muaj, një periudhë rekord krahasuar me rinovimet e mëparshme gjashtëmujore. Lista e sanksioneve përfshin më shumë se 2,600 persona, organizata dhe subjekte të akuzuara për mbështetje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, mes tyre edhe presidentin Vladimir Putin.
Vendimi është kundërshtuar publikisht nga Ukraina. Presidenti Volodymyr Zelenskyy u kishte bërë thirrje vendeve të BE-së që të mbanin Usmanovin dhe Fridmanin në listën e sanksioneve, duke kërkuar që masat të vazhdonin deri në angazhimin e Moskës në negociata serioze për paqen.
Usmanov u sanksionua nga BE-ja në ditët e para të pushtimit të plotë rus të Ukrainës. BE-ja e lidhi vendimin me marrëdhëniet e tij të afërta me presidentin Putin dhe interesat e tij në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ruse. Biznesmeni 73-vjeçar, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 16.6 miliardë dollarë, i ka mohuar akuzat dhe i ka kundërshtuar sanksionet.
Sipas Euronews, Uzbekistani dhe disa shtete të tjera turke kishin lobuar prej dy vitesh për heqjen e Usmanovit nga lista e BE-së. Franca, ndërkohë, nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Azerbajxhanin, duke iu referuar vetëm një çështjeje të lidhur me “sigurinë kombëtare” dhe duke mos dhënë detaje të tjera.
Çështja vjen në një marrëdhënie të tensionuar mes Parisit dhe Bakusë. Franca prej shtatorit 2024 ka paralajmëruar qytetarët e saj kundër udhëtimeve në Azerbajxhan, duke përmendur rrezikun e arrestimeve, ndalimeve arbitrare dhe proceseve gjyqësore të padrejta.
Vitin e kaluar, një gjykatë azere dënoi me 12 vite burg shtetasin francez Anass Derraz, ndërsa më herët këtë vit shtetasi francez Martin Ryan u dënua me 10 vite burg për spiunazh dhe mbledhje të informacionit sekret për qeverinë franceze. Ryan dhe autoritetet franceze i kanë kundërshtuar akuzat.
