Last Updated on 24/10/2026 by Klara
Mijëra persona dolën të shtunën në rrugët e qytetit francez të Orléans për të protestuar kundër Tubimit Kombëtar (RN), partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, e cila po zhvillon kongresin kombëtar në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Protesta mblodhi përfaqësues të së majtës, drejtues sindikatash dhe aktivistë, mes tyre kryebashkiakun e Saint-Denis, Bally Bagayoko, kreun e Partisë Socialiste, Olivier Faure, dhe drejtuesen e sindikatës CGT, Sophie Binet.
Rreth 50 parti politike, sindikata dhe organizata shoqërore kishin bërë thirrje për demonstratën, duke e cilësuar atë një reagim kundër “racizmit, fashizmit dhe imperializmit”. Autoritetet kishin parashikuar pjesëmarrjen e 20 mijë deri në 30 mijë personave.
“Ne kemi ardhur për t’i thënë të djathtës ekstreme, duke i parë drejt e në sy, se nuk kemi frikë”, deklaroi Bagayoko, duke theksuar se demonstruesit nuk kishin dalë për të provokuar dhunë, por për të mbrojtur liritë dhe vlerat demokratike.
Kryebashkiaku akuzoi të djathtën ekstreme për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe kritikoi presidentin Emmanuel Macron, të cilin e konsideroi të pamjaftueshëm në përpjekjet për të frenuar rritjen e mbështetjes për Tubimin Kombëtar.
Protesta zhvillohet në një klimë të tensionuar në Francë, pas një sulmi të përgjakshëm të premten në Trappes, në perëndim të Parisit, ku një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u plagosën. Autoritetet po hetojnë motivet e mundshme raciste të sulmit.
Bagayoko tërhoqi vëmendjen te ndikimi i retorikës së urrejtjes, veçanërisht në rrjetet sociale, duke e lidhur përhapjen e saj me klimën e tensionuar që po përjeton vendi.
*Gati 3 mijë efektivë në terren, Orléans nën masa të forta sigurie*
Për të parandaluar përplasjet mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të së djathtës ekstreme, në Orléans janë angazhuar afro 3 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie. Në gatishmëri janë vënë edhe automjete të blinduara, helikopterë dhe dronë.
Disa biznese kanë mbuluar vitrinat për t’u mbrojtur nga dëmtimet e mundshme, ndërsa shërbimet e transportit publik janë pezulluar. Kryebashkiaku i qytetit, Serge Grouard, ka vendosur gjithashtu kufizime të lëvizjes gjatë natës për fëmijët nën 15 vjeç, të vlefshme gjatë fundjavës.
Ndërkohë, Tubimi Kombëtar pret mijëra mbështetës në kongresin dyditor, ku kreu i partisë, Jordan Bardella, pritet të sigurojë një mandat të ri drejtues.
Kongresi do të kulmojë të dielën me një tubim të madh, që shënon nisjen e fushatës së Marine Le Pen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Përmes këtij aktiviteti, partia synon të demonstrojë forcën e saj politike dhe të konsolidojë mbështetjen përpara garës së ardhshme presidenciale.
Përplasja mes dy tubimeve politike zhvillohet në një fundjavë tjetër protestash në mbarë Francën, ku qytetarët po shprehin pakënaqësinë për rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e shërbimeve publike dhe politikat qeveritare. Pas trazirave të fundit, autoritetet franceze mbeten në gatishmëri të lartë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës./k.m
