Last Updated on 24/10/2026 by Klara
Mijëra pensionistë kanë dalë këtë të shtunë në rrugët e Madridit për të kërkuar pensione më të larta, përshtatjen e tyre me inflacionin dhe eliminimin e pabarazisë mes burrave dhe grave. Protesta zhvillohet në një fundjavë të shoqëruar me demonstrata në disa vende të Europës, ku pakënaqësitë ekonomike dhe sociale po mbajnë në gatishmëri forcat e sigurisë.
Marshimi, i organizuar nga lëvizja e pensionistëve dhe i mbështetur nga sindikata, përfshirë Konfederatën e Përgjithshme të Punës (CGT), nisi nga stacioni i Atochës dhe vijon përmes kryeqytetit spanjoll drejt rrugës Alcalá, pranë stacionit të metrosë Sevilla.
Protestuesit kërkojnë që pensionet të garantojnë një jetë dinjitoze si për personat që kanë dalë tashmë në pension, ashtu edhe për brezat që do të përfitojnë në të ardhmen.
Ndër kërkesat kryesore janë rritja e pensioneve në përputhje me inflacionin real, ngritja e pensionit minimal në nivelin e pagës minimale dhe mbyllja e hendekut gjinor në përfitimet e pensionit. Demonstruesit kërkojnë gjithashtu mbrojtjen e sistemit publik të pensioneve nga privatizimi.
Sindikata CGT kërkon edhe lehtësimin e daljes në pension të parakohshëm pa penalizime financiare për punonjësit që kanë kontribuar për të paktën 35 vjet. Një tjetër kërkesë është shfuqizimi i disa reformave të sistemit të pensioneve të miratuara që nga viti 2011.
*Protesta në disa vende, Europa nën masa të shtuara sigurie*
Demonstrata në Madrid zhvillohet në një fundjavë protestash në disa vende europiane, ku qytetarët po shprehin pakënaqësitë për çështje të ndryshme ekonomike dhe politike.
Në Francë, autoritetet kanë parashikuar angazhimin e 70 mijë efektivëve të policisë dhe xhandarmërisë në një klimë të tensionuar, ku përfshihen edhe protestat kundër kongresit të Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen në Orléans.
Edhe Italia ka shtuar masat e sigurisë. Në Romë janë angazhuar 1 500 efektivë, ndërsa në Milano 1 800, në kuadër të protestave kundër rritjes së kostos së jetesës dhe politikave qeveritare. Autoritetet italiane druhen nga përsëritja e përplasjeve, pas trazirave të dhunshme të 17 dhe 18 tetorit, të cilat kanë çuar në forcimin e masave të sigurisë në disa qytete të mëdha.
Megjithëse kërkesat e demonstruesve ndryshojnë nga një vend në tjetrin, protestat pasqyrojnë shqetësimet në rritje për standardin e jetesës, shpenzimet publike dhe politikat sociale. Qeveritë europiane po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve për më shumë siguri ekonomike dhe mbrojtje sociale./k.m
