Milarderi amerikan Leslie Wexner ka deklaruar se ka vizituar një herë ishullin e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, por mohon të ketë pasur dijeni për aktivitetet e tij kriminale.
Deklaratat u bënë gjatë një dëshmie përpara Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Në videon e publikuar më 19 shkurt, Wexner thekson se “nuk kishte asnjë dijeni” për veprimtaritë e paligjshme të Epstein.
Ai u mor në pyetje për rreth gjashtë orë me dyer të mbyllura nga hetuesit e Kongresit, në kuadër të hetimeve që lidhen me rrjetin dhe aktivitetet e financierit të dënuar për abuzime seksuale.
Wexner, themelues dhe ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë mëmë të Victoria’s Secret, L Brands, kishte punësuar Epstein si menaxher personal të financave që prej viteve ’80. Sipas tij, lidhjet me Epstein u ndërprenë rreth vitit 2007, pas akuzave të para penale ndaj këtij të fundit.
Biznesmeni ka pretenduar gjithashtu se Epstein kishte përdorur fondet e tij për të blerë prona dhe mallra pa autorizim, duke e dëmtuar financiarisht.
Rasti Epstein vijon të mbetet një nga skandalet më të mëdha në SHBA, me hetime që synojnë të zbardhin rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe përgjegjësitë e mundshme./mxh
