Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen në Bruksel, ku lufta në Ukrainë do të jetë një nga çështjet kryesore të axhendës.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, nuk do të marrë pjesë – një mungesë e rrallë për diplomatin më të lartë amerikan. Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, do të përfaqësojë Uashingtonin, sipas zyrtarëve.
Ndërkohë, i dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, janë planifikuar të takohen të martën (2 dhjetor) me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mënyra të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ky takim vjen pas publikimit të 28 propozimeve të paqes nga SHBA-ja, që kanë ngritur shqetësime tek zyrtarët ukrainas dhe evropianë, të cilët thonë se planet favorizojnë kërkesat e Moskës mbi NATO-n, kontrollin territorial dhe kufizimet mbi ushtrinë ukrainase.
Rusia e quajti të hënën (1 dhjetor) shumë të papërgjegjshme deklaratën e oficerit më të lartë ushtarak të NATO-s, i cili tha se aleanca e udhëhequr nga SHBA mund të konsiderojë një “sulm parandalues” si një hap mbrojtës ndaj agresionit rus. Admirali Giuseppe Cavo Dragone deklaroi për Financial Times se NATO po shqyrton intensifikimin e përgjigjes ndaj luftës hibride nga Moska, dhe se një “sulm parandalues” mund të konsiderohet një veprim mbrojtës./mxh
