Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se Italia synon të forcojë më tej praninë dhe angazhimin e saj në Ballkan, duke shqyrtuar edhe mundësinë e instalimit të sistemeve të radarëve në rajon, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme ndaj vendeve të Ballkanit dhe vetë Italisë.
Deklarata u bë në Prishtinë, gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it, ku komanda iu rikthye gjeneralit italian Vergori. Me këtë rast, Crosetto theksoi se angazhimi i Italisë në Kosovë dhe në rajon do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pavarësisht ndryshimeve të mundshme në nivelin e pranisë dhe të angazhimit të KFOR-it.
Sipas ministrit italian, Ballkani përbën një zonë me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të Italisë, pasi stabiliteti i rajonit lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e kufijve italianë. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe vendosja e sistemeve të avancuara të monitorimit janë thelbësore për t’u përballur me kërcënimet e reja që mund të shfaqen në të ardhmen.
“Për ne, Ballkani përfaqëson një pikë referimi për sigurinë tonë. Sigurimi i rajonit dhe përdorimi i tij edhe në të ardhmen, duke menduar për instalimin e radarëve që do të na mundësonin të mbronim si këto vende, ashtu edhe vendin tonë, për të parandaluar kërcënimet, është një çështje thelbësore”, deklaroi Crosetto.
Ministri u ndal edhe te zhvillimi i teknologjive ushtarake dhe rritja e rrezikut nga raketat me shpejtësi të lartë. Si shembull, ai përmendi sulmet ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite, duke pretenduar se raketat e përdorura, të prodhuara nga rebelët Houthi, kishin arritur shpejtësi prej rreth 8.500 kilometrash në orë. Sipas tij, raste të tilla tregojnë se kërcënimet moderne nuk vijnë domosdoshmërisht vetëm nga shtete me kapacitete të avancuara teknologjike.
Crosetto argumentoi se është e rëndësishme që vendet të bashkëpunojnë për krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtjeje, i cili do të mundësonte zbulimin më të hershëm të rreziqeve dhe marrjen e masave parandaluese. Ai theksoi se mbulimi me radarë dhe bashkëpunimi me vendet mike e ato kufitare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga kërcënimet e mundshme ajrore dhe raketore.
Sa i përket ndikimit të mundshëm të Iranit dhe Rusisë në Ballkan, ministri italian u shpreh se shqetësimet nuk janë rritur gjatë periudhës së fundit, por mbeten të njëjtat që kanë ekzistuar gjatë viteve të fundit. Ai nënvizoi se këto shqetësime janë ndër arsyet që Italia ka ruajtur angazhimin e saj në rajon, duke e konsideruar stabilitetin e Ballkanit një element të rëndësishëm për sigurinë evropiane.
Crosetto ritheksoi se prioriteti i Italisë është garantimi i sigurisë, duke filluar nga zonat pranë kufijve të saj. Deklaratat e tij tregojnë se Roma synon të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak me vendet e Ballkanit dhe të shqyrtojë mundësi të reja për forcimin e mbrojtjes së përbashkët, në një kohë kur kërcënimet me raketa dhe zhvillimet e teknologjisë ushtarake po marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Megjithatë, instalimi i radarëve në Ballkan u paraqit nga Crosetto si një mundësi që po shqyrtohet për të ardhmen, dhe jo si një projekt për të cilin janë bërë të ditura detaje konkrete mbi vendndodhjen apo afatet e zbatimit./MXH
