Last Updated on 09/10/2026 by EL
Në vijim të përplasjeve të forta në emisionin “Minuta e Parë” , Agron Tare ka dhënë detaje të reja mbi zanafillën e njohjes mes vëllait të tij, ish-futbollistit Igli Tare, dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka reaguar për hetimet e SPAK-ut mbi sekuestrimin e dy vilave.
Agron Tare konfirmoi lidhjen e hershme familjare dhe shoqërore, duke u kthyer prapa në vitet e gjimnazit.
“Igli Tare është njohur me Belinda Ballukun në gjimnazin ‘Qemal Stafa’. Kemi pasur një miqësi familjare. Prindërit e Ballukut kanë qenë të internuar, ajo është rritur te gjyshja. Babai im kur janë njohur nuk ka qenë entuziast sepse për këto gjëra të ndodhte çudia atëherë. Marrëdhënia e Igli Tares dhe Belinda Ballukut ka qenë shumë e afërt,” u shpreh ai.
Lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dy vilat e sekuestruara në emër të Igli Tares, Agron Tare theksoi se burimi i të me ardhurave të vëllait të tij është plotësisht i justifikuar nga karriera e tij shumëvjeçare në futbollin evropian.
“Igli Tare ka blerë dy vila. Nuk besoj se ka shqiptar të vendosë në dyshim burimin e të ardhurave të Igli Tares, se ka 20 e ca vite që ka një pagë vjetore rreth 1 milion euro. Vepra që akuzohet lidhet me atë nëse burimi i të ardhurave justifikohet, por burimi i të ardhurave të tij justifikohet plotësisht,” deklaroi Agron Tare.
Pavarësisht kësaj, ai pranoi se SPAK ka arsyet e veta për kryerjen e hetimeve dhe shprehu besim të plotë te procesi gjyqësor.
“Ka fakte megjithatë, ka e-maile që e bëjnë legjitim dyshimin që ka SPAK dhe ne jemi shumë ‘ok’. Edhe unë, edhe vëllai im Igli Tare kemi besim te SPAK që në fund të hetimeve do të dalë në konkluzionin e duhur. Vëllai im është jashtë kësaj me lufte politike që bëhet. Ne kemi besim te drejtësia. Nëse vëllai im është i fajshëm, do të marrë dënimin e merituar,” përfundoi Agron Tare./ET
