Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne Mirditën, ku një 45-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, në rrethana që dyshohet se lidhen me një atentat me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Valter Lleshi, i cili u gjet pa shenja jete brenda një automjeti tip “Toyota”, në fshatin Shkorret, në aksin rrugor Reps–Spaç. Sipas informacioneve paraprake, 45-vjeçari ka marrë plagë të shumta nga armë zjarri në kokë dhe trup.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Lleshi dyshohet të ketë qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur vite më parë. Konkretisht, ai dyshohet si autor i vrasjes së Anton Kelit, një taksist nga Rrësheni, i ekzekutuar në vitin 2020. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht një lidhje mes dy ngjarjeve, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista.
Ndërkohë, mësohet se viktima punonte si shofer i makinerive të rënda, të cilave disa muaj më parë iu vendos tritol, një episod që gjithashtu po verifikohet nga hetuesit për të kuptuar nëse ka lidhje me ekzekutimin e tij.
Në një njoftim zyrtar, policia bëri të ditur se ngjarja është konstatuar rreth orës 07:10 të mëngjesit.
“Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V. Ll., rreth 45 vjeç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, me synim identifikimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te konfliktet e vjetra dhe pistat e mundshme të hakmarrjes, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi motivet e ekzekutimit të 45-vjeçarit./a.d
