Babai i Amy Winehouse, Mitch Winehouse, ka pësuar një humbje në gjykatën britanike në çështjen që ngriti kundër dy ish-shoqeve të dhomës së këngëtares. Vendimi i gjykatës jo vetëm që rrëzoi pretendimet e tij, por e detyroi edhe të mbulojë shpenzime ligjore që kalojnë vlerën e 1 milion eurove.
Çështja lidhej me mbi 150 sende personale të Amy Winehouse, të cilat Naomi Parry dhe Catriona Gourlay i kishin shitur në ankande. Mitch Winehouse pretendonte se objektet ishin nxjerrë në shitje pa lejen e trashëgimtarëve të artistes dhe se të ardhurat ishin përfituar në mënyrë të padrejtë.
Nga ana tjetër, dy gratë këmbëngulën se sendet u ishin dhuruar nga vetë Amy gjatë kohës që jetonin së bashku, ndaj kishin të drejtë të dispononin me to.
Gjatë procesit gjyqësor, babai i këngëtares argumentoi se kishte mësuar për ekzistencën e këtyre objekteve vetëm pasi familja organizoi një ankand bamirësie në vitin 2021, ku u shitën mbi 800 sende të Amy Winehouse dhe u mblodhën rreth 4 milionë dollarë për Fondacionin Amy Winehouse.
Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë version. Gjyqtarja që shqyrtoi çështjen vlerësoi se Mitch Winehouse kishte dijeni për shitjet shumë më herët dhe e cilësoi padinë si të pabazuar. Në vendimin e saj, ajo kritikoi edhe mënyrën se si u zhvillua procesi, duke theksuar se akuzat e ngritura ndaj dy grave kishin ndikuar negativisht në reputacionin, jetën profesionale dhe gjendjen e tyre financiare.
Gjykata vuri në dukje gjithashtu se Amy Winehouse njihej për bujarinë ndaj njerëzve të afërt, duke e konsideruar të besueshëm pretendimin se sendet ishin dhurata personale të artistes.
Si rezultat i vendimit, Mitch Winehouse është urdhëruar të paguajë 569.330 paund për Naomi Parry dhe 394.521 paund për Catriona Gourlay si pjesë e shpenzimeve ligjore. Në total, kostot e çështjes tejkalojnë 1.2 milionë paund, një shumë që përkthehet në më shumë se 1 milion euro./mxh
