Last Updated on 08/07/2026 by Anisa
Gazetari Mentor Kikia ka sjellë në vëmendje përmes një reagimi publik debatin mbi mbrojtjen e pasurive natyrore, duke krahasuar përpjekjet e vendeve të tjera për ripyllëzim me dëmtimin e vazhdueshëm të zonave të gjelbra në Shqipëri. Ai merr si shembull projektin gjigant të Kinës për mbjelljen e miliarda pemëve dhe e vendos përballë situatës së pyjeve bregdetare shqiptare, për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit natyror dhe pasojat e ndërhyrjeve të pakontrolluara ndaj mjedisit.
Reagimi i plotë:
Kjo është “Made in China”!
Projekti i Murit të Madh të Gjelbër të Kinës ka mbjellë rreth 66 miliardë pemë që nga viti 1978 për të ndihmuar në ngadalësimin e zgjerimit të shkretëtirave Gobi dhe Taklamakan, për të zvogëluar erozionin e tokës dhe për të rikthyer tokën e degraduar.
Pa guxuar të mendoj të krahasohemi me Kinën, në aspektin qeverisës dhe qytetar…
Por, ne trashëguam nga komunizmi një bregdet të veshur me pyje artificiale(i mbjellë me punën e dy gjeneratave njerëzore), si një masë mbrojëse kundër stuhive të rërës dhe erozionit detar. Na u deshëm 30 vjet ta shkretojmë dhe ende vazhdojmë, me një zell kolonizatori, të shkatërrojmë parqet dhe pyjet e fundit që kanë mbetur në këmbë.
Do të behesha “copë”, për të mbështetur një forcë politike që të kishte në program: Ndalimin e shkatërrimit të pasurive natyrore dhe nisejn e një projekti afatgjatë ripyllëzimi në zonat e shkretuara, nga djegia e prerjet, më së shumti me lejen e vetë qeverive.
Mos harroni: Mjedisi nuk është çështje luksi. Mjedisi është kushti numër 1 për të patur jetë. Pylli i Vlorës që sot po e djegin dhe shkulin për të mbjellë beton, u krijua për të ndaluar stuhitë e rërës që mbysnin qytetin e Vlorës. Pa atë pyll Vlora nuk jeton dot./ad
