Vendgrumbullimet e plehrave mund t’i ekspozojnë shpendët ndaj ndotësve, duke ngritur pikëpyetje nëse ushqyerja në landfille u bën dobi apo dëm.
Lejlekët po shtohen në peshë nga një dietë që përbëhet nga mbeturinat. Këtë sugjeron një studim i ri, sipas të cilit këta shpendë – që më parë ishin në rrezik zhdukjeje – tani përballen me rreziqe potenciale shëndetësore si rezultat i rritjes së konsumit të ushqimit nëpër landfille.
Venddepozitimet e mbeturinave ofrojnë atë që duket si një vakt i shpejtë dhe i përshtatshëm për popullatat e lejlekut të bardhë në Evropë. Mirëpo, kërkimi i ri sugjeron se ata mund të jenë duke marrë një rritje afatshkurtër të energjisë me koston e efekteve shëndetësore negative afatgjata, të cilat mbeten ende të fshehura.
Studimi vë në dukje një ekuilibër të ndërlikuar: ushqimi në landfille mund ta ndihmojë këtë specie, dikur të rrezikuar, të rritet dhe të kursejë energji, duke ndihmuar në rritjen e popullatës së tyre; por ai gjithashtu mund të jetë duke ndryshuar organizmin e tyre në mënyra që sapo kanë filluar të kuptohen.
Të njohur dikur për migrimet e tyre në distancë të largët midis Evropës dhe Afrikës, disa popullata lejlekësh kanë ndryshuar sjelljen e tyre, pasi ushqimi i hedhur ka qëne më i lehtë për t’u gjetur sesa preja natyrale.
Lejlekët që ushqehen në landfille mund të gjejnë mbetje të ushqimit njerëzor, mbetje mishi, insekte, brejtës dhe krimba toke, duke shpenzuar më pak energji për të kërkuar nëpër fusha dhe kënata. Por, të njëjtat vende mund t’i ekspozojnë shpendët ndaj plastikës, telave, qelqit dhe metaleve të rënda, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo dietë me “ushqim të shpejtë” (junk food) po i ndihmon apo po i dëmton ata.
Anustup Bandyopadhyay, një student doktorature në Universitetin e Mjekësisë Veterinare në Vjenë, i cili ishte i përfshirë në studim, tha se rritja e prodhimit global të mbetjeve po krijonte mundësi të reja ushqimi për botën e egër, por pasojat për lejlekët mbeten ende të debatueshme.
Kërkuesit studiuan popullatat e lejlekut të bardhë në Poloni, ku shpendët kanë filluar të ushqehen më shumë në landfille gjatë dekadës së fundit. Ndryshe nga disa popullata të Evropës Perëndimore, shumica e këtyre shpendëve ende bazohen kryesisht te preja natyrale, gjë që u dha studiuesve mundësinë të krahasonin lejlekët e bardhë që përdorin strategji të ndryshme të kërkimit të ushqimit.
Gjetjet e tyre të para, të paraqitura në konferencën e Shoqatës për Biologjinë Eksperimentale në Firence, sugjeruan se lejlekët që ushqehen në landfille priren të kenë masë trupore më të madhe dhe rezerva më të larta energjie sesa ata që ushqehen në mënyrë natyrale.
“Ata mund të shpenzojnë më pak kohë për të kërkuar ushqim dhe potencialisht ta kanalizojnë atë kohë dhe energji në aktivitete të tjera si mbarështimi,” tha Bandyopadhyay. “Partnerët tanë nga Polonia kanë zbuluar gjithashtu se lejlekët e bardhë i përdorin landfillat kryesisht në mes të sezonit të mbarështimit, kur kërkesat për ushqim të zogjve në fole janë në kulmin e tyre.”
Por këto benefite vijnë me rreziqe. Studiuesit zbuluan gjithashtu prova të dëmtimit të ADN-së të lidhura me dietat e landfillit shumë më herët nga sa pritej te zogjtë e rinj – kur ata ishin “vetëm rreth një javësh”.
Gjetjet sugjerojnë gjithashtu se komoditeti dhe varësia nga ushqyerja në landfille si burim ushqimi mund të ndikojnë në modelet e migrimit, ashtu siç ndodhi me popullatat e lejlekut të bardhë në Evropën Perëndimore. Bandyopadhyay tha: “Lejlekët e bardhë të Gadishullit Iberik kanë kaluar nga të qenit plotësisht migrues në pjesërisht migrues, ose madje sedentare (qëndrues), kryesisht për shkak të kushteve të favorshme të motit dhe, çka është e rëndësishme, disponueshmërisë së ndihmës ushqimore nga landfillet.”
Prof. Aldina Franco, një ekologe në Universitetin e Anglisë Lindore (UEA), e cila nuk ishte e përfshirë në kërkim, tha se studimi hapi rrugë të reja duke parë efektin e ndotësve te lejlekët.
Ushqimi i gjetur në landfill është si “ushqim i shpejtë” për shpendët, tha ajo. “Është ushqim që po kalbet dhe është i një cilësie të dobët, por ndoshta me përmbajtje të lartë energjetike. Pra, ata mund të marrin mbetje mishi ose mbetje peshku, gjithçka që ne hedhim në vendet e mbeturinave.”
Franco shtoi se situata është nuancuar: “Është e vërtetë që mund të jetë e dëmshme për lejlekët që të hanë këto lloj ushqimesh që mund të kenë ndotës dhe sëmundje. Por nga perspektiva e popullatës, nëse ke 500 lejlekë që shkojnë në një landfill, ndoshta disa do të ngordhin nga ngrënia e këtyre gjërave të ndotura, por shumica në të vërtetë do të përfitojnë nga pasja e ushqimit shtesë.”
Çështja po bëhet më urgjente pasi qasja e hapur në landfille po bie në Evropë për shkak të ndryshimeve në politikat e BE-së për menaxhimin e mbetjeve. Kjo mund të ndikojë në numrin, lëvizjet dhe suksesin e mbarështimit të lejlekëve që mbështeten tek to si burim ushqimi.
Franco tha se kjo mund të jetë një shqetësim potencial për popullatat e lejlekëve të bardhë që janë mësuar me ushqyerjen në landfille.
“Nga njëra anë, ne jemi shumë të lumtur të ofrojmë ushqim në kopshtet tona përmes ushqyesve të zogjve. Landfillet janë mbetje që ne nuk i përdorim dhe pyetja është, a nuk duhet të lejojmë disa specie të përfitojnë nga këto burime që ne nuk na duhen më? Popullatat e lejlekut të bardhë ishin në rënie deri në vitet 1980. Ata u zhdukën nga disa vende evropiane dhe tani janë riprodhuar në Suedi, dhe në Mbretërinë e Bashkuar vetëm kohët e fundit.”
Franco shtoi: “A do të pësojnë rënie popullatat e lejlekëve nëse ne i ndalojmë plotësisht ata të kenë qasje në mbetjet tona organike? Mendoj se ky është një rrezik dhe duhet menduar mirë.”/the guardian-ad
