Një incident i vogël shoqëroi mbërritjen e Usha Vance, bashkëshortes së zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance, në Bazën e Përbashkët Andrews, nga ku familja do të nisej për në Alaska.
Usha Vance, e cila mbante në një transportues fëmijësh djalin e saj të porsalindur, Alec, u pengua teksa zbriste shkallët e helikopterit që po e transportonte drejt bazës ushtarake.
Zonja e dytë e Shteteve të Bashkuara arriti të kapet pas kangjellave dhe shmangu rrëzimin. Ajo nuk pësoi dëmtime, ndërsa foshnja ishte në transportuesin e saj.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se asnjë nga katër ushtarët që ndodheshin pranë shkallëve nuk ndërhyri për ta ndihmuar Usha Vance apo djalin e saj.
Pak çaste më vonë, nga i njëjti helikopter zbriti edhe J.D. Vance, i cili mbante në krahë vajzën e tyre katërvjeçare, Mirabelle.
Vizita e familjes Vance në Alaska bëhet në kuadër të angazhimeve të zëvendëspresidentit për të mbështetur fushatën zgjedhore të senatorit Dan Sullivan.
J.D. Vance kishte paralajmëruar se bashkëshortja e tij dhe disa prej fëmijëve do ta shoqëronin në udhëtim, duke theksuar se Alaska është shteti i 50-të që Usha Vance viziton.
“Siç ndoshta e patë, Usha dhe disa nga fëmijët do të vijnë me ne. Ky është shteti i 50-të i Ushës, kështu që do të marrim me vete një foshnjë nëntë javëshe në një fluturim 7.5-orësh për në Alaska”, tha zëvendëspresidenti amerikan.
Ai shtoi me humor se nëse do të dukej “i stresuar dhe i shqetësuar” gjatë fjalimit të tij, arsyeja do të ishte udhëtimi me foshnjën.
Alec, fëmija i katërt i çiftit, lindi më 19 korrik në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed në Maryland. Sipas tekstit, ai është fëmija i parë i lindur nga një zëvendëspresident në detyrë që prej vitit 1870./ad
