Lionel Richie ka përfunduar në spital pas koncertit të tij në St. Louis më 29 gusht, duke shqetësuar fansat dhe të gjithë ata që ndoqën performancën e tij.
Këngëtari 77-vjeçar u paraqit vetë në spital pas koncertit, ku iu nënshtrua disa analizave dhe kontrolleve. Sipas raportimeve, Richie u mbajt në repartin e terapisë intensive, ndërsa mjekët po hetojnë nëse një dehidratim i lehtë mund të ketë shkaktuar problemet e tij.
Shenjat e para të shqetësimit u vunë re që gjatë koncertit. Në këngën e fundit, “All Night Long”, Richie i bëri shenjë stafit që t’i sillnin një karrige dhe e përfundoi performancën ulur në skenë.
Ky episod vjen vetëm pak muaj pas një tjetër momenti shqetësues. Në qershor, këngëtari ndërpreu një koncert pasi përjetoi marramendje. Gjatë koncertit të fundit, ai tregoi se pas vizitës te mjeku kishte mësuar se shkak mund të ishte dehidratimi.
“Disa gjëra kanë ndodhur gjatë këtij turneu që më kanë tronditur pak, sepse nuk po kuptoja çfarë po ndodhte”, u tha Richie fansave.
Ai gjithashtu piu një pije me elektrolite gjatë performancës dhe, duke bërë shaka me publikun, tha se ishte “e tmerrshme”, por se “funksionon”.
Pas incidentit të qershorit, Richie ishte rikthyer në skenë dhe kishte vijuar turneun “Sing a Song All Night Long” së bashku me Earth, Wind & Fire.
Në korrik, ai kishte falënderuar fansat për mbështetjen dhe mesazhet e shumta që kishte marrë.
“Faleminderit për çdo mesazh, çdo fjalë të mirë dhe për gjithë dashurinë tuaj. Jam mirë dhe ju jam mirënjohës të gjithëve”, kishte shkruar këngëtari.
Tashmë, vëmendja është te gjendja e Lionel Richie, ndërsa fansat presin një përditësim të ri për shëndetin e tij./mxh
