Një incident ka shkaktuar panik gjatë xhirimeve të filmit të ri aksion dhe thriller policor, “Miami Vice ’85”, ku protagonistë janë aktorët e njohur Michael B. Jordan dhe Austin Butler.
Ngjarja ndodhi në Nju Jork, kur një 23-vjeçar u shfaq në zonën pranë sheshxhirimit duke mbajtur një thikë, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim te personat e pranishëm.
Sipas një përfaqësuesi të Policisë së Nju Jorkut, rreth orës 23:15 u regjistrua një përplasje verbale mes një personi që ndodhej pranë vendit të xhirimeve dhe të riut.
Gjatë incidentit, ai dyshohet se nxori një thikë, duke bërë që personi tjetër të ndihej i kërcënuar dhe të frikësohej për sigurinë e tij fizike.
Policia ndërhyri në vendngjarje dhe e arrestoi 23-vjeçarin pa rezistencë, ndërsa arma e ftohtë u sekuestrua. Sipas autoriteteve, nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
I riu është akuzuar për kërcënim dhe mbajtje të paligjshme të armës. Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse Michael B. Jordan ndodhej në sheshxhirim në momentin kur ndodhi ngjarja./mxh
