Last Updated on 22/07/2025 by adminfjala
Nga Fejzo Subashi
Një reflektim mbi plagët që sjell mosmirënjohja dhe heshtja që zgjedh njeriu i drejtë përballë saj.
Ka njerëz që gjithë jetën e tyre nuk kanë kërkuar asgjë më shumë veçse të jenë të mirë. Të ndihmojnë pa u mburrur. Të japin pa llogari. Të jenë pranë të tjerëve pa interes. Dhe shpeshherë, janë pikërisht këta njerëz që përfundojnë më të plagosurit.
Ata nuk e pësuan nga ligësia e tyre, sepse nuk kishin të tillë. E pësuan nga mirësia. Sepse nuk dinin të dyshonin. Sepse nuk i matnin njerëzit me dyshim, por me besim. Sepse nuk mendonin se pas çdo fjale të ëmbël mund të fshihej një qëllim i hidhur. Ata e pësuan sepse nuk kishin maskë dhe kjo botë, herë-herë, është më e dhunshme me ata që vërtet janë vetvetja. Unë kam parë njerëz të drejtë që u kthyen në viktimë, vetëm sepse s’pranuan të bëhen pjesë e të padrejtës. Kam njohur zemra të pastra që u lanë në baltë nga ata që dikur i ushqyen me dorën e tyre. Kam dëgjuar lutje të heshtura, ku dhimbja s’kishte nevojë për fjalë, sepse fytyra e rrëfente gjithë historinë. Mosmirënjohja nuk është thjesht harresë është tradhti. Është ta shkelësh me këmbë dorën që të ngriti. Është ta përdorësh njeriun e mirë si shkallë, dhe pastaj ta harrosh sapo të jesh ngjitur lart.
Por e vërteta është kjo: drejtësia nuk ka nevojë për hakmarrje. Sepse Zoti sheh. Dhe kur njeriu nuk merr hakun, e merr vetë e drejta. Jo gjithmonë menjëherë, jo me shpejtësinë që dëshirojmë ne. Por me drejtësinë e Tij që nuk harron dhe nuk gabon.
Ka ndodhur, dhe do të ndodhë prapë, që të padrejtët të duken të pathyeshëm për një kohë. Por jeta i vendos gjithçka në vend. Ka nga ata që mbetën pa gjë; të tjerë që humbën pa kthim atë që kishin më të shtrenjtë. Ka nga ata që mbetën vetëm, të mallkuar edhe nga vetë ndërgjegjja e tyre.
Unë nuk kërkoj mallkim për askënd. Por them me zemër: Zoti mosmirënjohësit le t’ua kthejë sipas veprës.
Sepse ata që tjetrit i bien në qafë qofshin të afërm apo të largët, qytetarë apo fshatarë nuk janë as njerëz të thjeshtë, as njerëz të mirë. Janë hije që nuk e meritojnë dritën.
Shpirti i njeriut të mirë, sado i lënduar, nuk e ul veten në nivelin e pabesisë. Ai lutet, pret dhe shpreson. Dhe më e bukura është se jeta, herët a vonë, e jep përgjigjen e saj. Pa zhurmë, por me drejtësi. m.p.