Kjo javë ka nisur me kushte të qëndrueshme atmosferike dhe mot kryesisht të kthjellët në të gjithë territorin e Shqipërisë, me intervale të gjata me diell gjatë ditës.
Sipas sinoptikanëve të “MeteoAlb”, sot dhe nesër vendi do të dominohet nga moti i kthjellët, ndërsa në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave të lehta në disa zona. Megjithatë, nuk parashikohen reshje shiu në këto dy ditë.
Për ditën e mërkurë, pritet një shtim i vranësirave, veçanërisht në zonat veriore dhe lindore të vendit, ku ekziston mundësia për reshje të izoluara shiu. Ndërkohë, pjesa tjetër e territorit do të vijojë të mbetet nën ndikimin e motit të qëndrueshëm.
Temperaturat maksimale gjatë këtyre ditëve do të kalojnë 20 gradë Celsius, duke arritur deri në rreth 25 gradë në mesditë. Në orët e para të mëngjesit janë regjistruar vlera minimale rreth 5 gradë në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore ato kanë luhatur nga 8 deri në 14 gradë, më të larta në zonat bregdetare.
Nga e marta, parashikohet një rënie e lehtë e temperaturave, ku në zonat malore minimalet mund të zbresin deri në 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të luhaten rreth 20–21 gradë.
Sipas parashikimeve aktuale, moti i qëndrueshëm pritet të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, pa reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit./mxh
