Deputeti dhe nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me situatën politike të kryeministrit Edi Rama, pasi dy deputetët socialistë që dolën kundër Reformës Administrativo-Territoriale, në fund, zgjodhën të votojnë pro.
Këlliçi shkruan në “Facebook” se Rama tanimë i bën qejfin vetes dhe shfaqet si luan që u mbijeton stuhive, pasi detyroi deputetët e tij të ‘zhduknin’ 15 bashki të vendit.
Sipas Këlliçit, kjo nuk është gjë tjetër veçse çalltisje delirante e Ramës, që premton utopi.
“Pasi mposhti Erion Braçen me shokë dhe i detyroi të votonin zhdukjen e 15 bashkive, Edi Rama ia bëri qefin vetes duke u shfaqur si luan që mbijeton nëpër stuhi.
Mjaftojnë komentet që ka marrë në këtë çalltisje delirante për të kuptuar si e shohin njerëzit atë. Por, nëse i do vërtetë alegoritë, Edi Ramës i shkon shumë portreti i derrit Napoleon tek Ferma e Kafshëve të Oruellit.
Ai që premtoi utopi, po pastaj e ktheu vendin në një regjim shtypës!”,-shkruan Këlliçi./Mxh
