Last Updated on 07/09/2025 by adminfjala
Momente paniku u regjistruan të dielën në mëngjes në Cleckheaton, në krahinën e West Yorkshire në Angli, pasi u shemb papritur fasada e një kishe viktoriane, e cila ishte shpallur ndërtesë e mbrojtur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, kur një pjesë e murit të përparmë të ndërtesës ra papritur mbi trotuar, përgjatë rrugës Bradford Road.
Pamjet filmike nga vendngjarja tregojnë momentin kur një kalimtar vëren gurët që fillojnë të shkëputen dhe arrin të largohet vetëm sekonda para se fasada të shembet plotësisht në tokë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin lokal.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikëses, ndërsa fotot pas shembjes tregojnë gurë të mëdhenj dhe mbetje ndërtimore të shpërndara në rrugë, duke dëshmuar për rrezikun që mund të kishte sjellë incidenti nëse do të kishte pasur kalimtarë të tjerë aty pranë./E.T
