Last Updated on 21/10/2026 by Anisa
Namik Dokle sjell historinë e veçantë të shpëtimit të bustit të At Gjergj Fishtës, i cili në vitin 1967, gjatë fushatës së diktaturës komuniste kundër fesë dhe objekteve të kultit, përfundoi në ujërat e Drinit. Falë guximit të Ndoc Hil Ndoit, busti i punuar në gur graniti u nxor nga lumi dhe u fsheh në murin e oborrit të shtëpisë, ku qëndroi për vite me radhë.
Sipas rrëfimit të publikuar nga Dokle, Ndoc Hil Ndoi kishte qenë dëshmitar i shkatërrimit të objekteve me vlera fetare e kulturore në qendër të Lezhës. Që nga ajo kohë, sa herë kalonte pranë Drinit, vështrimi i tij ndalej te lumi. Një ditë, kur niveli i ujit ishte ulur, ai vuri re një objekt të zi dhe, pasi iu afrua, kuptoi se bëhej fjalë për bustin e At Gjergj Fishtës, të cilin në Troshan e quanin “Pater Gjergji”.
Fillimisht, i tronditur nga zbulimi dhe i vetëdijshëm për rrezikun që mund të sillte një veprim i tillë në atë kohë, Ndoci e lëshoi bustin përsëri në ujë. Por, pas një nate dhe një dite të kaluar në dilemë, vendosi të kthehej për ta shpëtuar.
Shkruan Namik Dokle:
MREKULLISHT I SHPËTUAR …
Historia e një busti të Gjergj Fishtës
Ishte viti 1967, viti i “cunamit të diktaturës” që mbylli kishat dhe xhamitë në gjithë vendin, faroi ikona dhe gravura, dogji e hodhi në plehëra libra me vlera historike, apo edhe thjesht letrare e kulturore. Ndoc Hil Ndoi kishte qenë i pranishëm, kur kjo shëmti ndodhi edhe në qendër të qytetit të Lezhës. Çfarë digjej u dogj, çfarë nuk digjej u hodh në lumë. Që nga ajo dite, sa herë kalonte atypari, Ndoci nuk mund ta hiqte vështrimin nga lumi; me kureshtje a me shpresë,- vështirë të përfutyrohet sot. Dhe një ditë, në pakësim të ujërave të Drinit, ai vuri re diçka të zezë. Një ndjesi e çuditshme, përzier me frikë, e shtyu drejt lumit. E mori në dorë objektin dhe u drodh: njohu bustin e Pater Gjergjit, siç e quanin Fishtën në Troshan. I përvluan duart dhe e lëshoi përsëri aty ku e gjeti. Doli në breg dhe i dukej sikur ishte në cak të një gremine, ku, nga imta në imtë, mund të shkonte huptas. U largua dhe, një Zot e di, çfarë ka menduar një natë e një ditë, derisa mori atë vendim, të frikshëm për ato kohë, por që sot ngjan me një mrekulli. Në natën e dytë, bashkë me një të njohur të tij, shkuan te lumi.
“Ndoc, për çka e ke atë thes, çfarë ka qit lumi?!”, e pyeti tjetri.
“Hyn e merre atë gurin e zi”, – i tha ai.
Kur tjetri e nxorri bustin, të punuar në gur graniti, zëdridhshëm, i tha:
“A m’duket mue, apo asht Pater Gjergji ky?”
Ndoci nuk tha as po, as jo. E futi bustin në një thes dhe e çoi në shtëpi. Nuk i tregoi askujt se çfarë kishte në atë thes të lagur…
E fshehu bustin në murin e oborrit të shtëpisë. Në vitin 1987, -pak para se me vdekë, thirri djalin e tij, Preçin dhe i tregoi atë cep muri në oborr të shpisë. Kam një amanet në atë mur, i tha, u bënë 19 vjet që e mbaj të fshehur aty, lus Zotin që të vijë një ditë e ta nxjerrësh në dritë e të mos e mbash aq gjatë sa e mbajta unë. Veç një porosi po të jap: “Mos lejo kurrë të bahet ma keq se asht bâ.”
Dhe diktatura u shemb; erdhi koha e zbulimit të “idhujve të ndaluar”. Preçi e nxorri në dritë bustin e Gjergj Fishtës. I propozoi dikujt që ta ekspozonin në një vend a mjedis publik, por, me sa dukej, frika nuk ishte vrarë ende në mendjen e të gjithve. Dhe Preç Ndoc Ndoj vendosi ta vinte bustin e poetit të madh, në fshatin Troshan, aty ku ai kishte qëndruar i fshehur për 22 vjet. Sot ai bust qëndron në hyrje të restorantit “Hylli i Dritës”, të cilin e kanë ngritur i biri dhe nipat e Ndocit, të atij burri fisnik që shpëtoi mrekullisht bustin e poetit të madh./ ad