Last Updated on 12/03/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtruar mbrëmjen e kësaj të enjteje, sofrën e iftarit për besimtarët me rastin e muajit të Shenjtë të Ramazanit.
“Të dashur miq dhe të ftuar, argjërues, besimtarë dhe jo-besimtarë. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të Iftarit, që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe traditës së ripërtërirë të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie, edhe mik. I ftuar dhe i lirë mes të njohurish, por edhe i lidhur me të panjohurit përreth. Je ti që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon: Zoti, Allahu, universi… Ama thjesht me fjalët e Kantit, hyjësia e qiejve mbi mua, ligji moral brenda meje. Këto dy botë pikëtakohen në sofrën e iftarit dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse qoftë edhe ateisti më i madh i mbledhur në këtë sofër, e ka të pamundur të mendojë qoftë edhe për një çast për vogëlsinë e vet nën yjësinë e madhe.
Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenie njerëzore, ligji që na thotë se tjetri nuk është një i huaj, por një fqinj, një bashkëudhëtar, një grimcë e ngjashme përkohësie nën të njëjtin qiell, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes dhe të shpirtit. Të vogla apo të mëdha, por i merr dhe bëhet i dukshëm për vetëdijen. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes. Ai çast bëhet dinjiteti kur buka ndahet mes të tëra duarve”, tha kryeministri Rama në nisje të fjalimit të tij./mxh
