Ademola Lookman është sërish një nga emrat më të përfolur të merkatos te Atalanta. Pas një vere të gjatë dhe të ndërlikuar, e karakterizuar nga tratativat e dështuara me Interin, sulmuesi nigerian mund të largohet nga Bergamo dhe nga Seria A gjatë kësaj merkatoje dimërore.
Interesimi konkret vjen nga Turqia, ku Fenerbahçe ka vendosur të investojë fort për repartin ofensiv.
Klubi i Stambollit po e ndjek me seriozitet Lookman dhe është i vendosur ta transferojë që në këtë sesion. Fenerbahçe ka avancuar ndjeshëm në bisedimet me rrethin e lojtarit dhe palët janë pranë një marrëveshjeje për kushtet personale të kontratës.
Për Lookman është gati një pagë rreth 9 milionë euro në sezon, një shifër shumë më e lartë krahasuar me rreth 2.5 milionë euro që ai përfiton aktualisht te Atalanta.
Në këtë pikë, vëmendja zhvendoset te negociatat mes dy klubeve. Fenerbahçe duhet të gjejë një marrëveshje me Atalantën për formulën e transferimit.
Klubi bergamask preferon një shitje përfundimtare, ndërsa drejtuesit turq po shtyjnë për një huazim me pagesë rreth 5 milionë euro, të shoqëruar me të drejtë ose detyrim blerjeje në vlerën e rreth 37 milionë eurove. Një takim mes palëve mund të zhvillohet që javën e ardhshme
Fenerbahçe po tregohet shumë aktiv në tregun e Serisë A. Vetëm në orët e fundit ka zyrtarizuar blerjen e Mateo Genduzi nga Lazio, ndërsa ditë më parë kishte eksploruar edhe pistën Nkunku.
Kërkesa prej rreth 35 milionë eurosh nga Milani për atë operacion ka bërë që klubi turk të tërhiqet dhe të përqendrohet në objektiva të tjerë, me Lookman që aktualisht shihet si prioriteti kryesor.
Ndërkohë, lojtari i lindur në vitin 1997 është i angazhuar me përfaqësuesen e Nigerisë në Kupën e Afrikës. Pavarësisht kësaj, situata e tij në nivel klubesh mbetet e hapur dhe në zhvillim.
Merkatoja është ende në fazë aktive dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Lukman, me një transferim në Turqi që mbetet një skenar konkret./mxh
