Çmimi i naftës Brent u rrit në 114.45 dollarë për fuçi të premten, më 23 tetor, duke arritur nivelin më të lartë që prej muajit maj, ndërsa tregjet globale të aksioneve u përfshinë nga një valë shitjesh, e nxitur nga shqetësimet për kostot e larta të investimeve në inteligjencën artificiale (AI).
Tensionet në Lindjen e Mesme dhe rreziku i ndërprerjes së furnizimeve me energji po shtojnë presionin mbi ekonominë botërore, në një moment kur investitorët po vënë në dyshim qëndrueshmërinë e bumit teknologjik.
Nafta Brent, treguesi kryesor i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, u rrit me 1.4%, në 114.45 dollarë për fuçi. Rritja vjen pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, që kanë shtuar frikën për ndërprerje të mëtejshme të furnizimeve me naftë.
Sulmet e rebelëve Houthi në Arabinë Saudite kanë nxitur shqetësimet për sigurinë e furnizimit me energji. Çmimi i naftës Brent pritet ta mbyllë javën me një rritje prej rreth 3.9%.
Shtrenjtimi i naftës po krijon një rrezik të ri për ekonominë globale, pasi mund të përkthehet në kosto më të larta për transportin, prodhimin dhe konsumatorët, duke ushtruar presion mbi inflacionin dhe perspektivën e rritjes ekonomike.
Frika për investimet në inteligjencën artificiale godet Wall Street
Paralelisht me rritjen e çmimeve të energjisë, tregjet financiare po përballen me shqetësime në rritje për kthimin ekonomik të investimeve masive në inteligjencën artificiale.
Indeksi amerikan Nasdaq 100 humbi 2.9% të enjten, ndërsa S&P 500 ra me 1.2%, pas një vale shitjesh në aksionet e kompanive të mëdha teknologjike.
Në qendër të shqetësimeve ishte Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook, rezultatet financiare të së cilës rikthyen vëmendjen te shpenzimet e jashtëzakonshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Megjithëse rezultatet financiare të Meta tejkaluan pritshmëritë e analistëve, aksionet e kompanisë ranë me rreth 7%. Rënia u ndikua nga shqetësimet e investitorëve për shpenzimet e mëdha në inteligjencën artificiale, të cilat bënë që, për herë të parë në më shumë se një dekadë, daljet e parasë të tejkalonin hyrjet, duke krijuar një fluks neto negativ të parasë.
Meta njoftoi gjithashtu plane për emetimin e aksioneve pa të drejtë vote, me qëllim sigurimin e financimeve të mëtejshme për zhvillimin e teknologjisë.
Investitorët po shqetësohen gjithnjë e më shumë nëse shpenzimet gjigante për qendrat e të dhënave, procesorët dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale do të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar investimet, një pjesë e të cilave po financohen me borxh.
Sipas Reuters, indeksi i kompanive të gjysmëpërçuesve në Filadelfia ra me 6.7%, duke reflektuar goditjen e fortë që pësoi industria e teknologjisë.
Bursat aziatike ndjekin rënien amerikane
Tronditja në Wall Street u përhap edhe në tregjet aziatike, veçanërisht në vendet ku kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e gjysmëpërçuesve kanë peshë të madhe.
Në Korenë e Jugut, indeksi Kospi ra deri në 4% gjatë tregtimit të së premtes, përpara se të rikuperonte humbjet. Megjithatë, indeksi ka humbur pothuajse një të pestën e vlerës gjatë tetorit dhe ndodhet më shumë se 40% nën nivelin rekord të arritur në qershor, sipas Financial Times.
Aksionet e Samsung Electronics ranë me 4.1%, ndërsa ato të SK Hynix me 2.6%. Të dy kompanitë përfaqësojnë rreth gjysmën e peshës së indeksit Kospi.
SK Hynix njoftoi gjithashtu anulimin e planeve për listimin në bursën amerikane të Solidigm, kompanisë së saj të prodhimit të çipave të memories, duke përmendur kushtet e pafavorshme të tregjeve të kapitalit.
Në Japoni, indeksi Nikkei 225 ra deri në 2% gjatë seancës, përpara se të kufizonte humbjet.
Aksionet e SoftBank, një prej investitorëve në OpenAI, ranë me 6%, duke e çuar humbjen javore në pothuajse 15%. Ndërkohë, kompania Sumco, prodhuese e materialeve për industrinë e gjysmëpërçuesve, regjistroi një rënie prej 7.8%.
Edhe tregu kinez mbeti nën presion. Indeksi CSI 300 ra me rreth 1% dhe vijon të qëndrojë në territorin e një tregu në rënie, pasi ka humbur 20% nga niveli maksimal i fundit të qershorit.
Investitorët zhvendosen drejt aktiveve më të sigurta
Pasiguria në tregjet e aksioneve ka nxitur një zhvendosje të investitorëve drejt obligacioneve qeveritare, që tradicionalisht konsiderohen investime më të sigurta gjatë periudhave të turbulencave financiare.
Sipas Reuters, obligacionet e qeverisë amerikane regjistruan një nga rritjet më të forta ditore të çmimeve në më shumë se tre vjet. Yield-i i obligacioneve amerikane 10-vjeçare ra me mbi 19 pikë bazë, rënia më e madhe ditore që nga marsi i vitit 2023.
Edhe në Japoni u rrit kërkesa për obligacione qeveritare. Yield-i i titujve 10-vjeçarë ra me 0.09 pikë përqindjeje, në 2.77%.
Turbulencat në tregje kanë ndikuar edhe pritshmëritë për politikat monetare. Investitorët kanë ulur ndjeshëm parashikimet për rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale amerikane, për shkak të shqetësimeve se një korrigjim i fortë i investimeve në inteligjencën artificiale mund të dëmtojë ekonominë./ Financial Times- Reuters-ad
