Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se opozita nuk bën paqe me të ashtuquajturën, ‘diktaturë’ e kryeministrit Rama.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se, qytetarët duhet të bëhesh bashkë për t’i bërë ballë kësaj qeverie në protestë.
Ai theksoi se, protesta e cila do të mbahet këtë të shtunë me datë 28 nëntor, duhet të shihët si një detyrim madhor nga të gjithë shqiptarët.
“Nuk mund të ketë paqe me diktaturë. PD duhet ta lërë të qartë se në kodin e saj të mbrojtjes së interesave të shqiptarëve, protesta mbetet detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë. Protestat janë netë të lodhshme, kërkojnë sakrifica, por në narkodiktaturë, në një vend ku për regjimin nuk ekzistojnë ligje dhe kushtetutë, opozita duhet të jetë në këmbë dhe në protestë.
Pse po e shtroj këtu? Po e shtroj këtë problem sepse koha dhe momenti janë suksesi i pamohueshëm i protestës që filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që vazhdon edhe sot kundër Ramës dhe regjimit të tij. Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do të reagojmë në mënyrë të pandryshueshme në protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra e qindra miliona për të shuar zërin tonë, zërin e popullit opozitar.
Edi Rama është një rrezik real për ekzistencën kombëtare! Por në qoftë se nuk jemi në mënyrë të vazhdueshme dhëmb për dhëmb me të, çka nënkupton protestën, ne nuk vlejme!
Absolutisht, ne nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të pamposhtur kundër tij. Jeni dëshmitarë se çfarë dhune përdor ai kundër protestuesve paqësorë, për fajin, sipas tij, që guxojnë të dalin para Kryeministrisë, sikur ia ka lënë Kristaqi sheshin atij.“, u shpreh Berisha/k.m
