Korça ka ndezur dritat e Festës së Birrës, një prej eventeve më të mëdha verore në vend, që këtë vit shënon një tjetër moment të rëndësishëm, 20-vjetorin e krijimit të saj.
Familje, të rinj, emigrantë dhe turistë të huaj kanë zgjedhur të jenë pjesë e këtij eventi, duke sjellë një atmosferë shumëngjyrëshe dhe ndërkombëtare. Muzika, performancat e artistëve, larmia e birrave dhe ushqimet tradicionale janë shoqëruar me një pjesëmarrje të lartë që në orët e para të mbrëmjes. Për shumë prej vizitorëve, kjo është një traditë që përsëritet çdo vit, ndërsa për të tjerë është hera e parë që marrin pjesë në Festën e Birrës.
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
Mes tyre ka edhe shqiptarë që jetojnë në Greqi, Itali apo Gjermani dhe që kanë zgjedhur ditët e festës për t’u rikthyer në Korçë, ndërsa turistët e huaj thonë se kanë mbërritur në qytet pasi kanë dëgjuar për eventin dhe 20-vjetorin e tij. Përshtypjet e para janë pozitive, ndërsa shumica thonë se do të rikthehen edhe në netët e tjera të festës.
Për banorët e Korçës, Festa e Birrës është tashmë një traditë e përvitshme, por këtë vit atmosfera duket edhe më e veçantë. Një prej zonjave korçare, e cila ka ardhur vetëm, tregon se merr pjesë çdo vit dhe se organizimi i këtij edicioni i ka pëlqyer veçanërisht.
“Po kaloj shumë mirë. Kam ardhur vetëm. Vij gjithmonë në Festa e Birrës. Sivjet akoma më mirë. Ambientin e kanë bërë shumë të mirë. Do na vijë Luiz Ejlli se na kishte marrë malli. Do vij të gjitha netët.”
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
Përtej publikut vendas, festa ka rikthyer në Korçë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Një zonjë me origjinë nga Mokra ka udhëtuar nga Athina për pushime, por këtë herë ka zgjedhur që pjesë të qëndrimit të saj ta bëjë edhe Festa e Birrës. Pas dy dekadash, ajo thotë se po e përjeton për herë të parë nga afër këtë event.
“Unë jam mbesë nga Mokra, kam ardhur nga Athina me pushime dhe për Festën e Birrës. Jam shumë e gëzuar që erdha sot dhe po shikoj këtë vend. Atmosfera shumë e bukur, më pëlqen shumë. Vij për herë të parë, pas 20 viteve kam ardhur për Festën e Birrës. Po, edhe nesër këtu do jem.”
Edhe për shqiptarët që jetojnë në Itali, rikthimi në vendlindje është shoqëruar këtë herë me pjesëmarrjen në festën që prej 20 vitesh është kthyer në një simbol të verës korçare. Një tjetër vizitore ka ardhur me familjen dhe planifikon të qëndrojë dy ditë në qytet.
“Me origjinë jam korçare. Jetoj në Itali. Erdhëm për festën e birrës, hera e parë që po vij. Shumë bukur. Ambienti i përsosur. Kam ardhur me familjen dhe do të qëndrojmë dy ditë.”
Festa ka tërhequr edhe vizitorë nga Tirana, disa prej të cilëve e kanë kthyer pjesëmarrjen në një traditë të përvitshme. Për ta, edicioni i 20-të duket më i bukur dhe më tërheqës, ndaj kanë planifikuar të qëndrojnë në Korçë gjatë gjithë ditëve të aktivitetit.
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
“Bukur, shumë bukur. Kemi ardhur nga Tirana. Kemi ardhur edhe herë të tjera në Festa e Birrës. Shumë më e bukur këtë vit. Do qëndroj për tre ditë, derisa të mbarojë festa.”
Atmosfera e festës ka mbërritur edhe te vizitorët më të vegjël. Një vajzë e vogël që jeton në Gjermani ka ardhur për herë të parë në Korçë për këtë event dhe thotë se për të festa është edhe më e veçantë, pasi do të shohë nga afër këngëtarin e saj të preferuar, Luiz Ejllin.
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
“Kam ardhur nga Gjermania, më pëlqen këtu shumë. Mami dhe babi më kanë treguar për festën. Po është hera e parë dhe më pëlqen shumë. Kam këngëtar të preferuar Luizin dhe mezi po pres që të këndojë. Do vij edhe netët e tjera.”
Pjesë e publikut të natës së parë kanë qenë edhe vizitorë nga Kosova. Për një prej tyre, kjo është hera e parë në Festën e Birrës, por përshtypja e parë është pozitive, jo vetëm për atmosferën e eventit, por edhe për mikpritjen që ka gjetur në Korçë.
“S’kam qenë kurrë në Festën e Birrës, për herë të parë vij. Shumë mirë atmosfera. Kam ardhur me shoqen time dhe prindërit e saj. Në Korçë njerëzit janë të mirë, të urtë, për mrekulli. Këtu në festë më pëlqen që të gjithë festojnë, kënaqen, janë të lumtur. Do të vijmë edhe netët e tjera.”
Por Festa e Birrës tashmë ka kaluar kufijtë e një eventi vetëm shqiptar. Në Korçë kanë mbërritur edhe turistë të huaj, mes tyre një vizitor nga Athina, i cili së bashku me familjen ka vendosur të vizitojë qytetin për herë të parë pasi ka dëgjuar për 20-vjetorin e festës.
“Kam ardhur nga Athina, Greqi. Është hera e parë që vij në Korçë. Dëgjova për festën e birrës dhe 20 vjetorin e saj dhe erdha bashkë me familjen time. Pamë nëpër rrugë që kishte reklama për festën e birrës dhe atje e mësuam. Atmosfera shumë e këndshme, shumë lloje birrash dhe tradicionale. Me siguri do të vij edhe nesër.”
Në skenën e natës së parë u ngjitën artistë të njohur, duke nisur programin muzikor të një edicioni jubilar. Këngëtarja Eranda Libohova, e cila pati edhe privilegjin të hapë festën, vlerëson atmosferën dhe pjesëmarrjen e lartë, ndërsa e konsideron jetëgjatësinë 20-vjeçare të eventit një sukses në vetvete.
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
“Gjithmonë këtu bëhet bukur, nga viti në vit gjërat përsosen dhe mesa duket nevoja për t’u argëtuar, ka sjellë dhe këtë zhvendosje të lokacionit nga brenda qytetit në periferi. Sheshi ishte super full, madje kur erdha kisha frikë mos vonohesha pasi kishte shumë makina në radhë, por shkoi shumë bukur. Unë pata fatin ta hap festën. Besoj dhe publiku u kënaq. Ishte plot sigurisht, por pjesa para ishte vetëm me të rinj dhe më dhanë shumë adrenalinë. Emocionet e skenës për mua janë gjithmonë njësoj, jubile apo jo, mua skena më emocionon. Por duke menduar që ka 20 vite jetëgjatësi, ecuria është sukses.”
Pjesë e programit artistik ishte edhe këngëtarja greke Ivi Adamou, e cila u rikthye në Korçë për të performuar për publikun e Festës së Birrës. Artistja thotë se marrëdhënia me publikun korçar është e veçantë dhe se ndihet e lumtur sa herë rikthehet në këtë skenë.
Nata e parë e Festës së Birrës/ Mijëra vizitorë i
“Jam shumë e lumtur për çdo herë që vij këtu sepse publiku mi do këngët dhe unë e dua publikun. Gjithë kjo dashuri ka më shumë rëndësi për mua. Ju falenderoj që më ftuat edhe këtë vit dhe shpresoj që njerëzit ta shijojnë performancën.”
Me një natë të parë të karakterizuar nga pjesëmarrja e lartë dhe atmosfera festive, Festa e Birrës ka nisur edicionin e saj të 20-të. Vizitorët që kanë ardhur nga qytete të ndryshme, nga Kosova, Greqia, Italia dhe Gjermania, kanë konfirmuar se ky event tashmë është kthyer në një pikë të rëndësishme takimi për turistët, emigrantët dhe banorët vendas.
Festa do të vijojë edhe në netët e ardhshme me performanca të tjera, ndërsa publiku pret artistët e radhës dhe kulmin e atmosferës festive në Korçë. /kb
