NATO ka dënuar ashpër aktivitetet kibernetike që ia atribuon Rusisë, duke i cilësuar ato si një kërcënim serioz për sigurinë e vendeve anëtare dhe partnerëve të Aleancës.
Në një deklaratë të publikuar këtë të hënë, Aleanca thekson se Rusia po shfrytëzon ekosistemin e saj kibernetik për të goditur infrastrukturën kritike dhe institucionet qeveritare të vendeve aleateY
“Ne dënojmë fuqimisht aktivitetet e vazhdueshme kibernetike keqdashëse të Rusisë, të cilat synojnë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këto veprime përbëjnë një kërcënim për sigurinë tonë”, thuhet në deklaratë.
NATO i bën thirrje Moskës të ndalojë menjëherë këto aktivitete destabilizuese, duke theksuar se ato bien ndesh me normat ndërkombëtare të sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka zgjeruar paketën e sanksioneve ndaj Rusisë, duke përfshirë individë dhe subjekte që, sipas Brukselit, janë të përfshirë në kryerjen e sulmeve kibernetike në emër të Moskës./mxh
