Last Updated on 16/11/2026 by EL
Një lajm i trishtë ka mbërritur ditën e sotme, pasi Lidjana Shahinaj, përgjegjësja e sektorit të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga motra e saj, Valbona, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme të së motrës. Po ashtu ajo në postim ka bërë të ditur se motra e saj humbi jetë pasi zemra e tradhtoi.
“Sot duart e mia nuk më bëjnë të shkruaj, fjalë zemra nuk ka ç’të thotë…. Motra ime e dyta, Lidjana, u largua nga ne, zemra e saj e tradhtoi, ia preu jetën ne mes….Sapo kishte bërë 40 vjeç”, shkruan motra e saj në postim.
Gjithashtu edhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka reaguar për ndarjen e saj nga jeta, duke e kujtuar atë si një kolege të veçantë me vlera të rralla njerëzore. Agjencia vlerëson mirësinë, mbështetjen dhe empatinë që ajo përcillte te kolegët dhe miqtë, si dhe energjinë pozitive që e karakterizonte çdo ditë.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Lidjana Shahinaj, koleges sonë dhe një vajze unike, e cila diti t’u dhuronte kolegëve dhe miqve të saj mirësi, mbështetje dhe empati, si dhe të përcillte çdo ditë, përmes buzëqeshjes së saj, një energji pozitive që e karakterizonte dhe e bënte të veçantë mes nesh.
Për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Lidjana ishte ndër të parat që përqafoi risinë dhe vizionin e Agjencisë, duke i qëndruar besnike këtij misioni deri në ditën kur na duhet të përballemi me largimin e saj. Ajo do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit me vlera të rralla njerëzore dhe me një kontribut të çmuar në institucion.
E gjithë mirënjohja, dashuria dhe respekti ynë shkojnë sot për Lidjanën dhe familjen e saj. Do të mbetet gjithmonë e paharruar mes nesh!” njofton Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
Ikja e Lidjana Shahinajt e parakohshme ka lënë pas një dhimbje të thellë te familjarët, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Ajo do të kujtohet pëe përkushtimin profesional, mirësinë dhe gjurmën që la te njerëzit me të cilët ndau jetën dhe punën./et
