Ramazan Bogdani, një prej figurave të respektuara të artit shqiptar, ka ndërruar jetë dje në moshën 92 vjeçare. Akademiku dhe ish-balerini i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte edhe bashkëshorti i këngëtares Ema Qazimi.
Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 1981 dhe vijoi për më shumë se katër dekada, deri në orët e para të së hënës, kur profesori mbylli sytë përgjithmonë.
Etnomuzikologu Ramazan Bogdani dhe këngëtarja Ema Qazimi ishin një ndër çiftet më jetëgjatë të artit shqiptar. Ata janë bërë gjyshër, por historia e tyre e dashurisë mbetet gjithmonë shumë e veçantë.
Dy vite më parë, i ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, profesor Bogdani ka rrëfyer gjithçka, që nga njohja në vitin 1981, udhëtimi në Turqi dhe deri te dëshira për ta puthur por që nuk ia doli. Dhe ashtu siç ai kishte thënë ditën e parë që e kishte parë, Ema u bë gruaja e tij.
“Ka qenë viti 1981, Ministria e Arsimit nëpërmjet Institutit të Kulturës, më cakton me grupin e Ansamblit Artistik të Durrësit për bërë një turne artistik në Turqi dhe ato dy-tre ditët e fundit vjen një ekip nga Ministria dhe e pa që ai grup artistik donte një përforcim dhe morën Emën. Ema po bëhej gati për në Kosovë dhe atë që do të niseshin e solli në një nga ato sallat e Durrësit.
Ema sa hyri, duke parë të gjithë të pranishmit nga qyteti i Durrësit, Shijakut, Kavaja, kishte bëlbëzuar me vete siç më ka thënë: ‘E paskan marrë dhe këtë të gjorin, të shkretin, një katundar nga Shijaku’. Edhe unë nga ana ime duke e parë Emën, i kam thënë vetes ‘kjo do jetë gruaja ime’ dhe kështu u bë.
Sebep kanë qene një palë perde të bukura që unë kisha në shtëpi dhe pse isha beqar dhe në qendër të Stambollit duke parë Emën me Liljanën për të marr diçka, i thash pse mos të vish të shohësh një herë ato perdet e mia dhe u bën perdet sebep. Në Turqi desha ta puthja, po nuk pranoj. Ishte e ndaluar në atë kohë, por unë isha i lirë me veten time”, ka treguar profesori./ad
