Deputetja e Parlamentit Europian, Rima Hassan, është ndaluar nga policia franceze, lidhur me një postim të saj në rrjetin social X gjatë muajit të kaluar.
Lajmi u bë i ditur nga lideri i së majtës franceze, Jean-Luc Mélenchon, i cili reagoi ashpër duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të imunitetit parlamentar.
Në një postim publik, Mélenchon ngriti shqetësimin se, sipas tij, autoritetet po veprojnë si “polici politike”, ndërsa vuri në pikëpyetje respektimin e të drejtave të përfaqësuesve të zgjedhur.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga vetë Rima Hassan apo përfaqësuesit e saj ligjorë.
Rima Hassan, e njohur për qëndrimet e saj pro-palestineze, ka qenë aktive edhe në nisma ndërkombëtare, përfshirë pjesëmarrjen në një mision humanitar drejt Gazës, ku në një video të publikuar më herët ajo u bënte thirrje autoriteteve franceze për ndërhyrje në rast ndalimi.
Ngjarja ka rikthyer debatin në Francë mbi lirinë e shprehjes dhe kufijtë e imunitetit parlamentar, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje mbi arsyet e ndalimit./mxh
