Parlamenti italian ka shtyrë debatin, për një ligj historik, që do të përcaktojë seksin pa pëlqim si përdhunim, pasi brenda koalicionit qeverisës ka shpërthyer një përplasje politike.
Ligji ishte rezultat i një marrëveshjeje të rrallë mes kryeministres së djathtë, Giorgia Meloni, dhe lideres së opozitës të qendrës së majtë, Elly Schlein. Ai u miratua javën e kaluar në Dhomën e Ulët dhe pritej të miratohej këtë javë në Senat, por debati u shty nga partia Lega e Salvinit, që është partner i koalicionit qeverisës.
Matteo Salvini, zëvendëskryeministër dhe lider i Lega-s, argumentoi se ligji mund të ngarkojë gjykatat dhe të përdoret si një mjet për hakmarrje personale.
Ai tha se drafti aktual lë shumë hapësirë për interpretim individual dhe mund të shkaktojë më shumë konflikte sesa të zvogëlojë dhunën. Ligji parashikon 6–12 vite burg për këdo që kryen akt seksual pa pëlqimin e qartë të tjetrit.
Aktualisht, kodi penal italian e konsideron aktin si përdhunim, vetëm kur përdoret dhunë, kërcënim ose keqpërdorim i autoritetit, raporton The Guardian.
Schlein tha se ka kontaktuar Melonin për të kërkuar respektimin e marrëveshjes, duke paralajmëruar se një shtyrje e ligjit për arsye politike, do të ishte një barrë për gratë. Ky vendim erdhi pas miratimit të një ligji tjetër, që bën femicidin një krim të veçantë dhe parashikon për të, burgimin e përjetshëm, që ndodhi në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave më 25 nëntor.
Ministrja e Familjes, Eugenia Roccella, tha se ishte më mirë të merrej më shumë kohë për të miratuar një ligj bindës, ndërsa ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, tha se shtyrja është për arsye teknike dhe ligji do të aprovohet.
Debati në Senat pritet të rifillojë në janar, ndërsa Schlein është ftuar në festivalin Atreju, të organizuar nga partia e Melonit dhe do të marrë pjesë vetëm nëse do të ketë një debat ballë për ballë me kryeministren.
Ky bllokim politik vjen gjithashtu pas humbjeve të qeverisë së Melonit në zgjedhjet rajonale të Campanias dhe Puglias, ku partitë e majta arritën fitore, duke nxitur spekulime se shtyrja e ligjit mund të jetë një reagim post-elektoral i koalicionit në pushtet.
