Aktori dhe balerini i njohur meksikan Gerardo Taracena, i famshëm për rolin e tij të ashpër si Middle Eye në filmin Apocalypto të Mel Gibson dhe për interpretimin e Pablo Acostës në serialin Narcos: Mexico, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga Akademia Meksikane e Arteve dhe Shkencave Kinematografike, e cila e përshkroi Taracenën si një “aktor themelor të kinemasë meksikane”, duke theksuar praninë e tij intensive, të sinqertë dhe thellësisht njerëzore në ekran. Akademia shprehu gjithashtu ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
Deri më tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik, çka ka ngjallur shumë pikëpyetje mes fansave dhe ndjekësve të aktorit. As familja dhe as autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi rrethanat e ndarjes së tij nga jeta.
Gerardo Taracena arriti njohje ndërkombëtare falë rolit të tij në serialin e suksesshëm Narcos: Mexico, por karriera e tij përfshin një filmografi të pasur dhe të larmishme. Një nga interpretimet e tij më të paharrueshme mbetet ai në filmin Apocalypto (2006). Ai ka luajtur gjithashtu në filma si El Violín, Saving Private Perez, Sound of Freedom dhe Surviving My Quinceañera, si dhe në seriale të njohura si Queen of the South dhe Pedal to Metal.
Në vitin 2024, Taracena u shfaq në disa episode të serialit Cometierra në Amazon Prime Video. Sipas IMDb, në momentin e vdekjes ai kishte dy projekte në post-produksion dhe dy të tjera në zhvillim, çka tregon se ishte ende aktiv profesionalisht.
Gjatë karrierës së tij, ai u nominua tri herë për çmimin Ariel, një nga vlerësimet më prestigjioze të kinemasë meksikane./mxh
