Last Updated on 27/11/2026 by EL
Lejet e ndërtimit për ndërtesa të reja janë rritur me 45% në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, nga 289 leje të miratuara në T3 2025, numri ka arritur në 419 leje në T3 2026.
Sipërfaqja e parashikuar për ndërtimet e reja ka pësuar një rritje më të moderuar, me 3.5%, duke arritur në afro 363 mijë metra katrorë, nga 350 mijë metra katrorë një vit më parë.
Ndërkohë, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, që përfshin ndërtesat dhe punimet inxhinierike, është rritur me 51.6%, duke arritur në 24.1 miliardë lekë, nga 15.9 miliardë lekë në tremujorin e tretë të 2025-ës.
Pjesën më të madhe të lejeve e zënë ndërtimet për banim, me 329 leje dhe një sipërfaqe prej afro 260 mijë metrash katrorë. Ndërsa ndërtesat jo-rezidente, ku përfshihen hotelet, objektet tregtare dhe industriale, kanë regjistruar 90 leje, me mbi 103 mijë metra katrorë sipërfaqe.
INSTAT sqaron se të dhënat janë paraprake dhe bazohen në raportimet e bashkive, pasi ende nuk janë përfshirë në mënyrë të plotë të gjitha institucionet përgjegjëse për raportimin e lejeve të ndërtimit./et
