Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, ka kritikuar ashpër gjendjen e infrastrukturës në shkolla dhe politikat e Ministrisë së Arsimit, gjatë një interviste në A2CNN.
Mehmeti ironizoi deklaratat për teknologjinë në shkolla, ndërsa sipas tij mungojnë kushtet më bazike për nxënësit.
“Tani na thonë ‘kemi 20 kamera inteligjente’, ose mos e kanë ngatërruar shkollën me burg të sigurisë së lartë. Nëse kemi dyshime se brenda familjes na vjedh lekët, atëherë ka marrë fund familja, kështu është edhe shkolla“, u shpreh ai.
Ai solli si shembull shkollën e Baldushkut, ku për katër vite nuk kishte banjo, ndërsa theksoi se edhe brenda Tiranës shumica e shkollave nuk kanë ujë të ngrohtë, ujë të pijshëm apo ngrohje.
“Në Baldushk për katër vite u bë shkolla pa banjë, nuk kishte tualet. Ju keni brenda Tiranës që ujë të ngrohtë nuk kanë shumica e shkollave. Shkollat nuk kanë ujë të pijshëm, i ke shkollat pa ngrohje“, tha Mehmeti.
Sipas tij, problemi i arsimit nuk është vetëm te librat, por te varfëria e familjeve që ndikon drejtpërdrejt te nxënësit.
“Ke nxënës që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, se nuk është problemi vetëm te librat. Ka nxënës që u mungon xhupi, nuk ka atlete, atij i vjen turp sepse bullizohet për shkak të veshjes së tij”, deklaroi ai.
Mehmeti kritikoi edhe ndryshimin e premtimit nga “shkollë me ushqim” në “pas-shkolle”, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si të papranueshme, si dhe mungesën e studimeve reale mbi gjendjen e arsimit.
“Thanë në fillim shkollë me ushqim, tani doli pas-shkolle, dhe gjuha e përdorur ishte e papranueshme. Ne nuk kemi sot asnjë studim, ne nuk e dimë ku jemi. Ne fluturuam me rezultatet e PISA-s që ishte një gafë e rëndë, ne vijojmë të jemi të fundit“, përfundoi Ndriçim Mehmeti./ad
