Plazhi i Velipojës prej 1 jave është përfshirë nga një ndotje masive me mbetje të ndryshme kryesisht plastikë, por edhe mbetje të sjella nga prurjet ujore. Që në orët e para të mëngjesit, në Velipojë ka nisur një operacion i gjerë pastrimi pas prurjeve të shumta që kanë sjellë një sasi të konsiderueshme mbetjesh në bregdet.
Ekipet e shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër dhe tri fadroma të Ndërmarrjeve të Bashkisë janë angazhuar në terren për pastrimin e gjithë brezit ranor. Puna pritet të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të normalitetit.
“Bashkia Shkodër është sot me gjithë punonjësit e saj e angazhuar për pastrimin e gjithë sipërfaqes së rërës në plazhin e Velipojës. Strukturat bashkë me mjete synojmë që përmes këtij aksioni të përmirësojmë situatën. E kemi ndjekur me shqetësim këtë ndotje dhe do të vijojmë çdo ditë deri në pastrimin e plotë të plazhit të Velipojës”, tha nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka.
Sipas autoriteteve vendore, mbetjet e sjella nga prurjet janë rezultat i ndotjes së lumenjve dhe përrenjve në territor, çka tregon se çdo ndotje e hedhur në mjedis përfundon sërish në natyrë dhe në zonat tona turistike. Institucionet apelojnë për rritje të përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit fillon nga veprimet e përditshme të çdo qytetari./ K.M
