Vajza e princeshës së Norvegjisë, Mette-Marit, ndërpreu studimet në Australi dhe u kthye sot në Oslo për të qenë pranë nënës së saj, e cila është rëndë e sëmurë.
Princesha Ingrid Alexandra, e cila që prej vitit të kaluar studion Shkenca Sociale në Universitetin e Sidneit, mbërriti sot në mëngjes në Norvegji për të takuar Mette-Marit, e cila vuan nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe gjendja e së cilës është përkeqësuar së fundmi.
Mette-Marit, 52 vjeçe, u diagnostikua në vitin 2018 me një formë të rrallë të fibrozës pulmonare, një sëmundje që e ka detyruar të reduktojë angazhimet e saj zyrtare. Bashkëshorti i saj, princi trashëgimtar Haakon, i cili ndodhet për vizitë në Japoni, do të kthehet një ditë më herët se ishte planifikuar.
“Ne jemi një familje ku secili ka rëndësi, ndaj gjejmë forcë duke qenë pranë njëri-tjetrit”, u tha ai gazetarëve në Tokio.
“Siç kam thënë edhe më parë, gjendja e princeshës është serioze”, shtoi ai.
Pallati Mbretëror njoftoi në dhjetor se Mette-Marit mund të detyrohet së shpejti t’i nënshtrohet një transplanti të rrezikshëm. Gjatë paraqitjeve të saj të fundit publike, princesha është parë me pajisje për mbështetje të frymëmarrjes, një kanulë nazale e lidhur me aparat oksigjeni.
Përveç problemeve shëndetësore, Mette-Marit ka kaluar edhe vështirësi të tjera gjatë muajve të fundit.
Publikimi i dokumenteve në Shtetet e Bashkuara në fund të janarit zbuloi korrespondencën e saj të gjerë dhe, në disa raste, personale me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, gjatë periudhës 2011-2014.
Gjithashtu, ajo është përballur me problemet ligjore të djalit të saj. Marius Borg Høiby, i lindur nga një lidhje e saj para martesës me Haakon në vitin 2001, u gjykua më herët këtë vit për përdhunim dhe dhunë të përsëritur ndaj një ish-partnereje, akuza që ai i mohon.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 15 qershor./mxh
