Gjashtë vite pas ndarjes tragjike nga jeta të yllit të “Glee”, Naya Rivera, djali i saj 10-vjeçar, Josey Hollis Dorsey, po hedh hapat e parë në botën e kinemasë.
Josey, djali i Rivera-s dhe aktorit Ryan Dorsey, ka siguruar rolin e tij të parë në një film artistik. Sipas të dhënave të publikuara në IMDb, 10-vjeçari do të jetë pjesë e kastit të “The Burning Valley”, një produksion i ri që shënon debutimin si regjisor të Evan Coury.
Në film, Josey do të interpretojë një personazh të listuar si “Son”, ndërsa babai i tij, Ryan Dorsey, do të luajë rolin e “Father”. Filmi ka nisur xhirimet në Pensilvani dhe trajton pasojat e mbylljes së një uzine çeliku dhe vështirësitë që përjeton një punëtor pasi humbet vendin e punës.
Regjisori Evan Coury ka treguar se historia fokusohet te një punëtor çeliku, i cili, pas njoftimit për mbylljen e fabrikës ku punon, nis një udhëtim personal në qytetin e tij të goditur nga kriza industriale. Coury, i cili është rritur në zonën ku po zhvillohen xhirimet, e ka përshkruar projektin si një film të vogël dhe poetik, përmes të cilit synon të sjellë historinë e rajonit përmes përvojës së një personazhi.
Ky nuk është hapi i parë i Josey-t në aktrim. Në vitin 2024, kur ishte vetëm 8 vjeç, ai u ngjit për herë të parë në skenë në një produksion teatror të “Seussical Jr.” në West Virginia, shteti ku është rritur babai i tij. Josey dhe Ryan u zhvendosën nga Los Angeles në West Virginia në vitin 2023.
Ndërkohë, Ryan Dorsey është një aktor i njohur për rolet e tij në seriale si “Yellowstone”, “Ray Donovan” dhe “Justified”, ndërsa së fundmi është shfaqur edhe në “Palm Royale”.
Roli i parë kinematografik i Josey-t vjen gjashtë vite pas tragjedisë që tronditi familjen. Naya Rivera humbi jetën më 8 korrik 2020, në moshën 33-vjeçare, pasi u mbyt në Liqenin Piru në Kaliforni gjatë një udhëtimi me varkë me djalin e saj.
Në momentin e tragjedisë, Josey ishte vetëm 4 vjeç. Ai ndodhej me nënën e tij në varkë dhe u gjet i vetëm në bord pasi Rivera kishte hyrë në ujë me të.
Ryan Dorsey ka folur ndër vite për vështirësitë e rritjes së djalit pas humbjes së nënës së tij. Në intervistën e parë të gjatë pas vdekjes së Rivera-s, aktori e përshkroi Josey-n si një fëmijë shumë të lumtur dhe energjik, duke theksuar se djali i tij i jep një arsye për të vazhduar përpara.
Tashmë, Josey duket se po ndjek gjurmët e të dy prindërve të tij në botën e aktrimit, duke nisur një kapitull të ri në ekran./mxh
