Një gjest i veçantë në skenën e konkursit ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universe 2026” ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar dhe ka shkaktuar diskutime në mediat dhe rrjetet sociale në rajon. Në qendër të vëmendjes është 22-vjeçarja Maria Aleksandra Ivezaj, e cila përfaqëson Malin e Zi në këtë kompeticion, por gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare në San Juan të Porto Rikos bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare.
Gjesti i saj nuk kaloi pa u vënë re, pasi shqiponja dykrenare është një nga simbolet më të njohura të identitetit kombëtar shqiptar. Vëmendja u shtua edhe më shumë pasi modelja publikoi në profilin e saj në Instagram fotografi me kostumin kombëtar, ku shfaqej sërish duke bërë simbolin shqiptar.
Veprimi i Ivezajt nxiti reagime të shumta, veçanërisht për faktin se ajo konkurron në këtë aktivitet ndërkombëtar si përfaqësuese e Malit të Zi. Disa media serbe e cilësuan gjestin si skandaloz, ndërsa pati edhe komente që e lidhën atë me çështje politike dhe idenë e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.
Megjithatë, pas diskutimeve të shumta, vetë 22-vjeçarja ka vendosur të reagojë dhe të shpjegojë arsyen e këtij veprimi. Në një postim në Instagram, ajo bëri të ditur se gjestin e kishte menduar që përpara se të dilte në skenë dhe se kishte zgjedhur ta bënte për t’u dhënë një mesazh vajzave me origjinë shqiptare që jetojnë në Malin e Zi.
“Shumë njerëz më kanë pyetur pse bëra shqiponjën shqiptare gjatë prezantimit në Miss Universe. E mendova atë moment përpara se të dilja në skenë dhe ZGJODHA ta bëja, sepse doja që vajzat shqiptare nga Mali i Zi të shihnin një pjesë të vetes së tyre aty, bashkë me mua”, shkroi ajo.
Më tej, Ivezaj theksoi se të dy prindërit e saj kanë lindur dhe janë rritur në Malin e Zi, ndërsa familja e saj vjen nga Tuzi. Ajo tregoi se është rritur duke u kthyer çdo verë në vendlindjen e familjes dhe se prejardhja shqiptare dhe lidhja me Malin e Zi janë të dyja pjesë e identitetit të saj.
“Kur thashë ‘Mali i Zi’ në atë skenë dhe ngrita shqiponjën, isha krenare për të dyja”, u shpreh modelja.

