Një grua ruse qante me dënesë derisa një grup burrash rrinin ulur në errësirën e një furgoni të bardhë; një tjetër i bërtiste një ushtari me uniformë kamuflazhi kur ai përplasi derën e furgonit.
Një tjetër qante dhe bënte kryqin drejt njërit prej burrave: “Lyosha! Të dua!”, shkruan REL.
“Djem, më thoni, a e nënshkruan të gjithë kontratën? A ishte vullnetare?” pyeti një grua që xhiroi rastin e 17 qershorit në Penza, një kryeqytet rajonal me gjysmë milioni banorë në juglindje të Moskës.
“A ju detyruan ta bënit?” pyeti ajo.
Derisa furgoni nisej për t’u larguar, një tjetër grua doli para tij, duke u përpjekur ta ndalonte.
Sipas dëshmitarëve dhe të afërmve me të cilët foli Radio Evropa e Lirë (REL), burrat ishin ndaluar një ditë më parë në rrugë dhe ishin dërguar me forcë në një zyrë rekrutimi ushtarak, ku u detyruan të nënshkruanin kontrata për të shkuar në luftë në Ukrainë.
Natyrisht, e gjithë kjo duket si detyrim i paligjshëm. Babai im nuk kishte ndër mend të shkonte në luftë; ne e biseduam këtë me të”, tha një grua. “Nuk shoh asnjë shpjegim tjetër për këtë, përveç kërcënimeve, dhunës ose trysnisë”.
Si të gjithë njerëzit me të cilët foli REL-i, ajo kërkoi të mos identifikohej, ose të përdorte një pseudonim, për ta shmangur ndjekjen nga autoritetet.
Në luftën e Rusisë në Ukrainë, që tashmë është në vitin e pestë, forcat ukrainase kanë arritur t’iu bëjnë qendresë trupave ruse, teksa Moska po përpiqet me vështirësi të arrijë fitime domethënëse në fushëbetejë.
Çmimi për të dyja palët është jashtëzakonisht i lartë; Rusia ka pësuar gati 500.000 të vdekur në luftë, sipas të dhënave të inteligjencës britanike dhe vlerësimeve të tjera perëndimore, dhe numri i të plagosurve është të paktën dyfishi i kësaj.
Derisa të dyja palët kanë hasur në vështirësi për t’i zëvendësuar humbjet, Rusia ka pasur më shumë sukses, duke përdorur stimuj financiarë, si dhe kërcënimet dhe forcën.
Këtë vit, megjithatë, ekspertët thonë se ka ndodhur një pikë kthese.
Ka zëra që po shpeshtohen se Kremlini mund ta kërkojë një mobilizim të dytë masiv, ndoshta qysh në këtë vjeshtë, diçka që ishte tronditje tektonike për shoqërinë ruse herën e parë që ndodhi, në shtator 2022./mxh
