Last Updated on 25/11/2026 by EL
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri të ditur këtë të mërkurë, pas mbledhjes së grupit, se opozita ka propozuar 28 amendamente në projektbuxhetin e ri dhe paketën fiskale. Sipas tij, këto propozime kanë si synim lehtësimin e kostos së jetesës për qytetarët.
Sipas listës, propozimet e demokratëve prekin shtylla ekonomike dhe sociale, duke përfshirë rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave për energjinë dhe ujin, si dhe ndërprerjen e pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe koncesionet.
AMENDAMENTET E PROPOZUARA NGA GRUPI PARLAMENTAR I PD PËRFSHIJNË:
- Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
- Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
- Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
- Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
- Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
- Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
- Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
- Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
- Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
- Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
- Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
- Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
- Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
- Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
- Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
- Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
- Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
- Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
- Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
- Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
- Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
- Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
- Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
- Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
- Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
- Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
- Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
- Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
